Lidhje

BE miraton kuotat, diskuton ndihmat për refugjatët


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel në një takim emergjent lidhur me krizën e emigrantëve në përpjekje për të gjetur mënyra për të forcuar kufijtë e jashtëm dhe për të ndihmuar vende si Turqia që përballen me fluks të madh refugjatësh.

Por krerët e Bashkimit mbeten të përçarë për sa u përket masave për të sistemuar azil-kërkuesit që janë dyndur në Evropë, edhe pas miratimit të një plani për kuota specifike për çdo vend në takimin e së martës të ministrave të brendshëm të bllokut. Sipas planit do të sistemohen gjithësej 120 mijë refugjatë.

Sllovakia, një ndër katër vendet që votoi kundër propozimit të kuotave, tha nuk do të pranonte asnjë refugjat dhe do të ngrinte padi për të penguar zbatimin e planit. Kryeministri hungarez Viktor Orbán sulmoi Kancelaren gjermane Angela Merkel që ka shprehur mbështetje për kuotat, duke e quajtur “imperializëm moral”.

Por Rumania, e cila gjithashtu ka kundërshtuar idenë e kuotave, tha se do të pranonte 2400 emigrantë shtesë, në bazë të planit. Polonia, e cila fillimisht ishte kundër kuotave, tha se do të pranonte rreth 5000 emigrantë, përveç 2000 të tjerëve që ka rënë dakord që më parë që t’i sistemojë.

Bashkimi Evropian po përpiqet të identifikojë mënyrat për të ndalur fluksin e refugjatëve nga Siria dhe Iraku, shumë prej të cilëve kanë mbërritur në Evropë pas një udhëtimi të rrezikshëm përmes Mesdheut.

Bashkimi Evropian ka propozuar gjithashtu një shumë prej 1.9 miliardë dollarësh për të përmirësuar qendrat e mbajtjes së emigrantëve dhe për të ndihmuar Turqinë, Jordaninë, Libanin dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara të operojnë kampet e refugjatëve.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se çdo ditë mbërrijnë në brigjet e Evropës rreth 6000 vetë dhe se vala e të ardhurve është aq e madhe sa që plani për sistemimin e 120 mijë emigrantëve është i pamjaftueshëm për stabilizimin e situatës. Agjencia bëri thirrje për hapjen e qendrave për pritjen e refugjatëve brenda perimetrit të BE-së.

XS
SM
MD
LG