Lidhje

Belgjika i dorëzon Francës Abdeslamin


I dyshuari për sulmet e Parisit Salah Abdeslam u nxor para gjykatës sot, pasi prokurorët njoftuan se ai ishte ekstraduar në Francë nga Belgjika.

Abdeslami, 26 vjeçar, ishte i arratisuri më i kërkuar në Evropë deri në kapjen e tij në Bruksel më 18 mars pas një ndjekjeje katër muajshe.

"Salah Abdeslam u është dorëzuar autoriteteve franceze këtë mëngjes", thuhet në një njoftim të prokurorisë federale belge.

Arrestimi i tij ndodhi katër ditë para sulmeve të militantëve islamik në aeroportin dhe metronë e Brukselit, që lanë pas vetes 32 të vrarë.

Frank Berton, avokati francez që do të drejtojë ekipin mbrojtës të Abdeslamit, e vizitoi klientin e tij më për më shumë se dy orë javën e kaluar në Belgjike, bashkë me mbrojtësin belg të Abdeslamit, Sven Mary.

Hetuesit thanë se Abdeslam u ka thënë atyre se kishte organizuar logjistikën e sulmeve të 13 nëntorit në Paris dhe kishte planifikuar të hidhte veten në erë në stadiumin e këtij qyteti, por kishte ndërruar mendje në minutën e fundit.

Ai dyshohet se kishte marrë me qira dy makina që janë përdorur nga sulmuesit gjatë lëvizjeve të tyre në dhe rreth Parisit.

"Ai më tha mua natyrshëm se ka gjëra për të thënë dhe do t'i thotë ato. Ai dëshiron të flasë", tha avokati Berton.

"Ajo që ka rëndësi për neve si avokatë, është që ai thjeshtë të ketë një gjykim të drejtë, të dënohet për çfarë ka bërë dhe jo për gjërat që nuk i ka bërë" Kjo është thelbësore meqë ai është i mbijetuari i vetëm", i tha ai televizionit BFM.

Vëllai i Abdeslamit, Brahimi, me të cilin ai mbante një bar në lagjen Molenbeek në Bruksel, ishte në mesin e sulmuesve vetëvrasës që hodhi veten në erë.

Salahu mund të ketë qenë personi i dhjetë i përfshirë në sulme, gjykuar nga një deklaratë e grupit Shteti Islamik që mori përsipër përgjegjësinë. Policia gjeti një jelek vetëvrasës të braktisur në një lagje të Parisit.

Abdeslami po mbahej në një burg në qytetin belg Bruges. Javën e kaluar ai u akuzua lidhur me një këmbim zjarri me policinë në një apartament në jug të Brukselit, ku ishin gjetur gjurmët e gishtërinjve të tij disa ditë para arrestimit.

Policia belge ka arrestuar disa bashkëpunëtorë të Abdeslamit, përfshirë edhe Mohamed Abrinin, i kërkuar për sulmet në Paris dhe i dyshuar për sulmet ne Bruksel.

XS
SM
MD
LG