Lidhje

Vdes legjenda e gazetarisë amerikane, Ben Bradlee


Gazetaria amerikane humbi njërin prej përfaqësuesve të saj më të njohur, Ben Bradlee, ish-kryeredaktorin legjendar të Washington Postit. Bradlee do të kujtohet sidomos për mbulimin e skandalit Watergate, që çoi në dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon në vitin 1974. Për mbulimin e guximshëm dhe profesional të kësaj ngjarjeje të rëndësishme në historinë amerikane, ai meritoi çmimin prestigjoz Pulitzer.

Ben Bradlee, i cili ishte 93 vjeç, vdiq dje në shtëpinë e tij nga shkaqe natyrore, njofton gazeta Washington Post.

Zoti Bradlee fillimisht si redaktor menaxhues dhe më pas si redaktor ekzekutiv, luajti një rol kryesor në transformimin e Washington Post-it, nga një gazetë e fjetur lokale në një gazetë të rëndësishme kombëtare.

Karriera e tij në Washington Post filloi në vitin 1948 kur u bë gazetar për çështjet e policisë. Zoti Bradlee u largua përkohësisht për të punuar si atashe shtypi në Ambasadën amerikane në Paris, pastaj si korrespondent i revistës Newsweek po në Paris dhe u kthye në Uashington për të punuar për Uashington Postin. Në vitin 1968 u bë redaktor ekzekutiv i kësaj gazete deri me daljen në pension në vitin 1991.

Ai mori në redaksi një grup njerëzish të talentuar dhe vendosi standarde të tilla editoriale që i sollën gazetës një respekt të ri.

Zoti Bradlee pati miqësi me një president, John Kennedy-n, ndërsa u bë i famshëm për rolin e tij në rrëzimin e një presidenti tjetër, Richard Nixon.

Ishte ai që udhëzoi gazetarët e rinj Bob Woodward dhe Carl Bernstein të mbulonin skandalin Watergate, që çoi në dorëheqjen e Presidentit.

Kur ndodhi vjedhja e dokumenteve në kompleksin Watergate, incident të cilin Shtëpia e Bardhë u përpoq ta kalojë pa bujë, zoti Bradlee ishte skeptik ndaj përpjekjeve të gazetarëve Woodward dhe Bernstein për ta hetuar ngjarjen. Më pas, ai ndjeu se fjala ishte për diçka më të madhe, se grabitësit kishin qenë njerëz të punësuar nga komisioni presidencial për rizgjedhjen e zotit Nixon.

Botuesja e gazetës, Katharine Graham e mbështeti kryeredaktorin Bradlee kur administrata e Presidentit Nixon u përpoq t'i mbyllte gojën gazetës. Zoti Bradlee i mbështeti përpjekjet e gazetarëve Woodward dhe Bernstein për ta hetuar më thellë skandalin.

Bradley ishte ndër njerëzit e paktë, i cili e dinte qysh në fillim identitetin e personit të ashtuquajtur Gryka e Thellë, burimi i lajmeve që e ndihmuan Washington Postin të zbulonte skandalin.

"Njerëzit flasin me gazetarët për një arsye. U takon gazetarëve ta kuptojnë këtë arsye," do të shprehej më vonë zoti Bradlee.

Identiteti i personit që u jepte informacione gazetarëve të Washington Postit u zbulua publikisht në vitin 2005. Ai quhej Mark Felt dhe ishte agjent i Byrosë Federale të Hetimeve.

Me rastin e dekorimit të zotit Bradlee me medaljen e Lirisë, Presidenti Obama tha:

"Që kur nisi punë në Washington Post 65 vjet më parë, ai e transformoi këtë gazetë në një nga më të mirat e botës. Me Ben Bradleen kryeredaktor, gazeta zbuloi historinë e vërtetë të përfshirjes së Amerikës në Vietnam, ekspozoi Watergate-in, dhe hapi një epokë të re në gazetarinë investigative."

Në partneritet të ngushtë me botuesen Graham, zoti Bradlee doli haptas në mbrojtje të lirisë së shtypit qysh në vitin 1971, me vendimin për të publikuar Dokumentet e Pentagonit, një studim i fshehtë i qeverisë lidhur me Luftën e Vietnamit. Studimi u bë publik nga gazeta New York Times, megjithë këshillat e avokatëve dhe lutjet e zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Beteja ligjore që pasoi vazhdoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila la në fuqi të drejtën e gazetave për t'i botuar dokumentet e nxjerra.

Nën drejtimin e zotit Bradlee, Washington Posti zbuloi gjithashtu hollësi të skandalit Iran-Contra, i cili tronditi Shtëpinë e Bardhë në kohën e Presidentit Ronald Reagan.

XS
SM
MD
LG