Lidhje

Biden nuk do të garojë për zgjedhjet presidenciale


Nënpresidenti Joe Biden tha se nuk do kandidojë për zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, duke u dhënë kështu fund muajve spekullime nëse do të hynte në garën e Partisë Demokrate.

Duke folur sot në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, zoti Biden tha se procesi i vuajtjes pas vdekjes në maj të djalit të tij Beau nga kanceri në tru “nuk do t’ia dijë për gjëra të tilla si afate ose debate dhe zgjedhje paraprake”.

“Besoj se tashmë nuk ka më kohë të mjaftueshme për një fushatë të suksesshme për emërimin. Megjithëse nuk do të jem kandidat, unë do të flas qartë dhe fuqishëm për pozitën e partisë sonë dhe për drejtimin që duhet të marrim si vend”, tha zoti Biden që shoqërohej në podium nga bashkëshortja e tij Jill dhe Presidenti Barack Obama.

Nënpresidenti 72 vjeçar gjithashtu vlerësoi Presidentin Obama, duke thënë se “ai e udhëhoqi vendin nga kriza në rimëkëmbje”.

“Kjo parti, vendi ynë do të bënte një gabim tragjik nëse distancohemi ose përpiqemi të shbëjmë trashëgiminë e Presidentit Obama”, tha ai.

Zoti Biden, që ka qenë senator për mbi tre dekada, si përfaqësues I shtetit Delaware, kishte kandiduar dy herë por pa sukses për postin e Presidentit.

Njoftimi i sotëm ka mundësi t'i japë një shtytje pozitës së kandidates Hillary Clinton, duke i hequr asaj një rival të mundshëm.

I inkurajuar nga demokratët, të cilët kërkonin një alternativë për zonjën Clinton, nënpresidenti kishte disa muaj që diskutonte me familjen e tij dhe me këshilltarët politikë nëse duhet të hynte, apo jo në garë.

XS
SM
MD
LG