Lidhje

Blatter mbi të ardhmen e FIFA-s


Një ditë pasi u rizgjodh në mesin e skandalit më të madh të korrupsionit që ka goditur entin drejtues të futbollit, Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, tha se nuk do të hakmerret ndaj federatave që nuk mbështetën kandidaturën e tij. Megjithëse rizgjedhja e tij pritej, imazhi i zotit Blatter është goditur së bashku me organizatën që ai drejton:

“Jam zgjedhur nga 133 federata kombëtare, por unë jam president i të gjithëve, edhe i atyre federatave që kanë qenë kundër meje. Pra, kjo nuk ndikon këndvështrimin tim për të ardhmen.”

Zoti Blatter foli me gazetarët pas takimit me drejtuesit e FIFA-s ku ai përsëriti angazhimin e tij për të rikthyer besimin tek FIFA, e cila është tronditur prej akuzave për korrupsion.

Zgjedhja e udhëheqjes së FIFA-s u bë pas akuzave të ngritura këtë javë ndaj 14 personave, dhe arrestimit të 7 zyrtarëve të lartë të futbollit në Zyrih.

Konkurrenti tjetër, Princi Ali bin al Hussein i Jordanisë, shprehu shqetësimin për një hakmarrje të mundshme ndaj anëtarëve të FIFA-s që e mbështetën kundër zoti Blatter.

“Janë 73 federata që u treguan të guximshme dhe për të cilët unë kandidova. Nuk dua që të kenë probleme për shkak se mbajtën qëndrimin e duhur.”

Federata e Futbollit të Shteteve të Bashkuara shprehu zhgënjimin për rezultatin e zgjedhjes, por e përgëzoi Presidentin Blatter.

Zoti Blatter tha të premten se mendon se “nuk do t’i kishin këto probleme sot “nëse Rusia dhe Katari nuk do të ishin zgjedhur si vende organizatore për kupat botërore për vitin 2018 dhe 2022”.

SHBA ishte një ndër kandidatët për vitin 2022.

Një tjetër hetim zvicerian po shqyrton akuzat për keqmenaxhim dhe spastrim parash në lidhje me zgjedhjen e vendeve organizatore të kupave botërore të vitit 2018 dhe 2022.

XS
SM
MD
LG