Lidhje

Boehner mbron vendimin për të ftuar Kryeministrin izraelit Netanyahu


Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, mbrojti vendimin e tij për të ftuar Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që të mbajë një fjalim përpara të dyja dhomave të Kongresit më 11 shkurt lidhur me kërcënimin që vjen nga Irani dhe nga ekstremizmi islamik. Ftesa është bërë pa u këshilluar me Shtëpinë e Bardhë.

Udhëheqësi izraelit ka folur përpara Kongresit dy herë deri tani, por ftesa e zotit Boehner synon gjithashtu t'i kundërvihet Presidentit Barack Obama, i cili është shprehur kundër sanksioneve të reja të kongresit ndaj Teheranit.

Dje, zoti Boehner e zemëroi Shtëpinë e Bardhë duke thënë se ftesa e tij shkelte protokollet normale diplomatike.

"Unë nuk u këshillova me Shtëpinë e Bardhë. Kongresi mund t'i marrë vetë vendime të tilla. Nuk mendoj se kam fyer dikë. Në botë ekziston një kërcënim serioz, por presidenti, në fjalimin e mbrëmshëm e mbuloi atë".

Z. Netanyahu është një armik i vendosur i Iranit dhe shpesh ka shprehur shqetësimin se SHBA mund t'i bëjnë lëshime të tepërta Teheranit gjatë negociatave që kanë vazhduar me muaj.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për sanksione të reja ndaj Iranit, duke cituar një raport të Këshillit të Sigurimit.

"OKB-ja ka publikuar një raport ku thotë se Irani i është përmbajtur plotësisht marrëveshjes dhe nuk ka prova se po përpiqet ta shkelë atë përsa i përket programit të tij bërthamor. Pra, mendoj se kemi fituar një farë kredibiliteti në këtë proces. Mendoj se duhet të jemi në gjendje të vazhdojmë me kujdes për t'i përfunduar këto negociata pa ndërhyrje."

Presidenti Obama i ka kërkuar Kongresit të mos vendosë kufizime të tjera kundër Iranit ndërkohë që negociatat bërthamore janë në vazhdim, për të parë nëse ato mund të përfundojnë me sukses.

Presidenti tha se do t'u vërë veton rregullave më të ashpra nëse Kongresi i miraton ato.

XS
SM
MD
LG