Lidhje

20 vjet nga masakra e Srebrenicës


Bosnja po shënon 20 vjet që nga masakra e Srebrenicës, më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Rreth 15 mijë djem e burra arritën të shpëtojnë duke u larguar përmes pyllit, por shumë prej tyre u vranë nga ushtarët serbë që u zunë pritë të maskuar me uniforma të OKB-së.

20 vjetori i Srebrenices
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:11 0:00

Lufta në Bosnje kishte shpërthyer në prill 1992. Ushtria e serbëve të Bosnjës përparoi deri në lindje. Srebrenica, një qytet me 36 mijë banorë, ku myslimanët përbënin 75 për qind të popullsisë, u mor nën kontrollin e trupave serbe por myslimanët e rimorën kontrollin e tij pas disa javësh.

Në fillim të vitit 1993, serbët filluan një ofensivë ndaj zonave nën kontrollin e myslimanëve. Srebrenica dhe Zepa u bënë enklava të izoluara në një territor të mbajtur nga serbët. Myslimanët e zonave përreth shkuan në Srebrenicë dhe popullsia e saj arriti në 60 mijë. Ata kishin ushqim, ujë dhe ilaçe të pamjaftueshme.

Në prill, Srebrenica, Zepa dhe Gorazde në Bosnjen lindore u deklaruab “zona të sigurta” të Kombeve të Bashkuara. Forca Mbrojtëse e OKB-së, UNPROFOR dislokoi trupa dhe sulmet e forcave serbe u ndalën. Por qyteti mbeti i izoluar dhe vetëm disa autokolona humanitare ishin futur atje në dy vitet në vazhdim.

Presidenti atëhershëm Serbo-boshnjak, Radovan Karadzic urdhëroi që Srebrenica dhe Zepa të izoloheshin krejtësisht dhe që autokolonat e ndihmave të mos dërgoheshin më atje.

Më 9 korrik 1995, Karadzic lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit hollandezë duke marrë 30 prej tyre peng.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat hollandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Dhe të nesërmne, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur hollandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mladic hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve hollandezë në Potocari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Mladic u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobuza që të largoheshin.

Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

"E dimë që kemi edhe 2-3 mijë të tjerë në Kladanj që janë nisur dhe të tjerë mund të jenë duke ardhur. Problemi i dytë madhor është se ku ndodhen burrat. Ky është grup i përbërë nga gratë, të moshuarit dhe fëmijët. Kemi njoftime por nuk mund t’i konfirmojmë që mund të ketë me mijëra në Bratunac, kemi kërkuar që të na lejojnë të hyjmë por nuk kanë pranuar. Ne kemi personel ndërkombëtar atje por vendndodhja dhe fati i mijëra burrave përbën shqetësim të madh për ne”, thoshte zëdhënësi i atëhershëm i UNHCR-së Soren Jessen-Petersen.

Reth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperave.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreyj 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

20 vjet pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Dhe çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potocari.

XS
SM
MD
LG