Lidhje

Propozohet gjykim për korrupsion për Presidenten e Brazilit


Një komision parlamentar në Brazil ka rekomanduar që Presidentja Dilma Rouseff të përballet me akuza për korrupsion. Nëse ky propozim merr vota të mjaftueshme, atëherë ajo do të përballet me një gjykim në Senatin brazilian i cili do të vendosë në se ajo duhet shkarkuar apo jo.

“Ka tregues të mjaftueshëm se ajo ka kryer shkelje që mund të përkufizohen edhe si akte penale”, thotë Jovair Arantes, deputet brazilian.

Komisioni votoi me shumicë në favor të rekomandimit, të cilin do t’ia dërgojë tani dhomës së ulët të parlamentit. Nëse aty miratohet me 2/3-tat e votave, atëherë Presidentja Rousseff do të gjykohet në senat.

Dhoma e ulët pritet të votojë brenda një jave dhe studiuesit politikë thonë se rezultati duket shumë i ngushtë për t’u parashikuar.

Zonja Rousseff akuzohet se pati fshehur të dhënat e gjendjes së rëndë të ekonomisë së Brazilit për të siguruar rizgjedhjen e saj në vitin 2014.

Mbështetësit e saj thonë se këto akuza janë pjesë e një puçi të organizuar nga zëvendëspresidenti, Michel Temper, i cili i është bashkuar kampit në favor të gjykimit të saj. Por, edhe ai vetë do të përballet me të njëjtat akuza me të cilat po përballet zonja Rousseff.

Zëvendëspresidenti Temer tha dje se është qarkulluar gabimisht teksti i një fjalimi që ai do të mbante për publikun, ku ai tingëllon sikur të jetë bërë president që tani. Zoti Temer këmbëngul se në tekst nuk ka asgjë të re nga çka ai ka thënë në të kaluarën.

XS
SM
MD
LG