Lidhje

Masat kundër terrorizmit në Britani


Kryeministri i Britanisë, David Cameron, njoftoi se do të prezantojë së shpejti një projekt-ligj kundër terrorizmit, me qëllimin për të ndaluar xhihadistët për t’u rikthyer në Britani. Zoti Cameron tha sot nga Australia se ky ligj synon t’i ndalojë të dyshuarit për terrorizëm të udhëtojnë, dhe do të mundësojë edhe anulimin e pasaportave të tyre ndërkohë që ndodhen jashtë vendit.

“Së shpejti do të prezantojmë një legjislacion kundër terrorizmit në Mbretërinë e Bashkuar, që do t’i japë më shumë autoritet policisë për të sekuestruar pasaporta në kufi, për të ndaluar të dyshuarit të udhëtojnë, dhe për të ndaluar rikthimin e shtetasve britanikë në vend, përveç rasteve kur bien dakort të kthehen sipas kushteve tona. Do të ketë rregulla të reja për ato linja ajrore që nuk do të respektojnë kufizimet në listën tonë të personave që u ndalohet fluturimi, ose që nuk do të zbatojnë masat tona të kontrollit përpara mbërritjes në Britani.”

Kryeministri britanik e bëri këtë njoftim gjatë një fjalimi në parlamentin australian në Canberra.

Zoti Cameron do të shkoje në Brisbane për të marrë pjesë në takimin e udhëheqësve të Grupit 20.

Niveli i sigurisë në Britani u ngrit në muajin gusht në nivelin e dytë më të lartë, për shkak të rrezikut nga luftëtarë islamikë që rikthehen nga Iraku dhe Siria.

XS
SM
MD
LG