Lidhje

Brukseli nën masa të rrepta sigurie


Personi i dyshuar si njëri prej autorëve të sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam, mundi t'i shmanget të dielën në mbrëmje një operacioni ndjekjeje masive nga forcat e rendit në Belgjikë. Forcat belgjiane të sigurisë kryen kërkime të hollësishme në Bruksel dhe në rrethinat e tij; forcat e sigurisë të hënën po ashtu u fokusuan në qytete në pjesën lindore të kryeqytetit belg, duke sugjeruar se policia druhet se personi më i kërkuar në Europë mund të përpiqet të shkojë në Gjermani.

Në ditën e tretë të një bllokimi të paprecedent të aktiviteteve në Bruksel, zyrtarët po qëndrojnë në heshtje lidhur me operacionin më të madh të vendit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të dielën në darkë, 16 persona të dyshuar u arrestuan në më shumë se 19 operacione kontrolli në Bruksel dhe qytetet përreth tij. Në Bruksel e kanë selinë institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Autoritetet njoftuan për 5 arrestime të reja të hënën. Por zyrtarët belgë të sigurisë i pohuan Zëri të Amerikës se nuk besojnë se kanë zbuluar një rrjet terrorist, për të cilin ata thonë se po planifikon sulme të tjera, të ngjashme me ato që goditën Parisin më 13 nëntor. Në ato sulme u vranë 130 njerëz dhe mbi 350 të tjerë u plagosën.

Njësitë e anti-terrorizmit ishin të hënën aktivë në qytetin Liezh, të Belgjikës, me sa duket pas njoftimeve se Abdeslami ishte parë atje me një makinë BMW. Qyteti Liezh ndodhet më pak se gjysëm ore larg me makinë nga kufiri gjerman dhe pranë qytetit belgjian Verviers, ku në janar policia belge u përfshi në një shkëmbim zjarri me xhihadistët. Një media lokale njoftoi se Abdeslami , shtetasi francez 26-vjeçar, i dënuar më parë për krime të vogla, kishte mundur t’i shpëtonte rrethimit të policisë pranë Liezhit, por zyrtarët nuk pranuan ta konfirmonin, apo mohonin këtë pretendim.

Në se kjo është e vërtetë, kjo do të ishte hera e dytë që Abdeslami ka qenë shumë pranë kapjes. Vetëm disa orë pas sulmeve të Parisit, Abdeslami u ndalua nga policia franceze pranë kufirit me Blegjikën; ai ishte në një makinë me dy burra të tjerë, u mor në pyetje dhe u la të largohej i lirë. Por në atë kohë nuk ishte dhënë ende alarmi për kapjen e tij, dhe përfshirja e tij në sulmet e Parisit, nuk dihej ende. Po ashtu nuk dihet edhe arësya se përse ai nuk e aktivizoi brezin vetë-vrasës gjatë sulmeve në Paris.

Forcohen masat e sigurisë në kufi

"Që nga sulmet e Parisit janë vendosur masa intensive sigurie në kufi"- i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i policisë gjermane.

Të përballur me shumë kritika brenda në Belgjikë dhe jashtë vendit, për mungesë aftësie në kërkimet pas sulmeve të Parisit, agjencitë belge të anti-terrorizimit po përpiqen së tepërmi për të forcuar besimin tek aftësia e tyre; por dështimi për të zbuluar vendodhjen e Abdeslamit po e shton më tej shqetësimin e publikut.

Prokurori belg Eric van der Sypt, tha të hënën në një konferencë shtypi se rastet e 16 personave të ndaluar të dielën dhe 4 të tjerëve të shtunën do t'i shqyrtojë një gjykatës.

Të gjitha operacionet policore në Bruksel dhe në qytetet Anderlecht dhe Charleroi u kryen pa incidente; por në lagjen periferike Molenbeek të Brukselit, ku jetonin Abdeslami dhe disa nga autorët e tjerë të sulmeve të Parisit, një makinë nuk ndaloi në postbllokun e forcave të sigurisë, të cilat qëlluan me armë, duke e plagosur shoferin.

Duke folur të dielën në televizionin belg, Ministri i Brendshëm Jan Jambon paralajmëroi se gjendja e emergjencës nuk do të hiqet pa gjetjen e Abdeslamit. “Është një kërcënim që nuk lidhet vetëm me një person", tha ai. "Presim të ndeshemi me probleme të tjera, prandaj kemi përqëndruar një numër kaq të madh forcash."

Shumica e qytetit e mbyllur

Ndërsa shërbimet belge të sigurisë i intensifikuan kërkimet për një rrjet terrorist që mendohet se po planifikon një seri sulmesh në objekte të Brukselit, një numër i madh punonjësish qëndruan të hënën në shtëpi, ngaqë bizneset janë mbyllur.

Në qendër të Brukselit rrugët patrullohen nga ushtarë; nëpër objekte dhe hapësira publike janë vendosur makina të blinduara. Autoritetet kanë thënë se të paktën dy militantë janë të lirë në zonën e Brukselit, të cilët mund të kryejnë "veprime të rrezikshme."

Disa burime sigurie thonë se numri i sulmuesve mund të jetë edhe më i lartë, ndoshta rreth tetë vetë.

Transporti në Bruksel vazhdon të jetë shumë i kufizuar, sistemi i metrosë dhe shkollat janë të mbyllura.

Po ashtu të hënën ishin të mbyllura muzeumet dhe një numër i madh dyqanesh. Në Grand Place, qendra historike e qytetit, që zakonisht është e mbushur me turistë dhe banorë lokalë, një makinë e blinduar është parkuar pranë Pemës së Krishtlindjeve. Institucionet e BE-së ishin të hapura të hënën, por ato ruhen nga një numër më i madh trupash të armatosura dhe shumë nga zyrtarët punojnë nga shtëpia.

NATO tha se zyrat e organizatës në qytet janë të hapura, por disa punonjësve ju kërkua të punonin nga shtëpia.

Autoritetet belge i kanë bërë thirrje publikut dhe medias të mos komentojnë në rrjetet sociale lidhur me operacionet e vazhdueshme të policisë që ata shohin, duke thënë se tweet-et dhe fotografitë në Instagram mund t'u japin informacione të dyshuarve për sulme.

Duke ndjekur shembullin e një kameramani holandez, shumë belgë kanë filluar të postojnë në mediat sociale fotografi të maceve, një shprehje surreale e humorit, në mesin e ankthit që ka pushtuar publikun.

Forcat belge të sigurisë i thanë Zërit të Amerikës se mendojnë që i dyshuari Abdeslam po ndihmohet nga rrjete xhihadiste për t'i shpëtuar ndjekjeve, pavarësisht faktit se ai i tha miqve në bisedat që ka patur me ta me Skype, sipas një raporti të ABC News dy ditë më parë, se Shteti Islamik ishte i pakënaqur me të, ngaqë nuk e aktivizoi brezin vetëvrasës. Ata thanë se ai po përpiqet të shkojë në territoret e ISIS-it në Siri.

XS
SM
MD
LG