Lidhje

Bruksel, nivel i lartë gatishmërie


Belgjika do të vazhdojë të mbajë në fuqi nivelin e lartë të gatishmërisë në kryeqytetin e vendit edhe të hënën dhe do të mbyllë shkollat për shkak të "rrezikut serioz dhe të menjëhershëm" nga sulmet terroriste, tha të dielën kryeministri i këtij vendi, Charles Michel, pas një takimi të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pjesa tjetër e vendit do të jetë në një nivel të tretë të gatishmërisë, nga sistemi katër shkallësh i sigurisë që ka vendi.

Forcat belge të sigurisë janë në kërkim të "disa të dyshuarve" të lidhur me sulmet e fundit terroriste në Paris, tha sot një zyrtar i lartë i vendit. Në rrugët e Brukselit janë dislokuar policë dhe ushtarë. Sistemi i metrosë i qytetit do të mbetet i mbyllur edhe të hënën.

Ministri i Brendshëm Jan Jambon tha se autoritetet janë në kërkim të të dyshuarit për masakrën e Parisit, Salah Abdeslam, i cili besohet të ketë hyrë në Belgjikë menjëherë pas sulmeve të koordinuara, në të cilat u vranë 130 persona. Për sulmet 13 nëntorit në Paris përgjegjësinë e ka marrë grupi Shteti Islamik.

Kryeministri i Belgjikës ka paralajmëruar se "disa individë me armë dhe eksplozivë mund të nisin një sulm" në një, apo më shumë vende brenda dhe rreth kryeqytetit të vendit.

Autoritetet i thanë korrespondentit të Zërit të Amerikës, Jamie Dettmer se paralajmërimi i kryeministrit Michel ishte i bazuar në "informata të sakta", duke përfshirë edhe mundësinë që Abdeslam mund të jetë duke planifikuar një sulm vetëvrasës në qytet.

XS
SM
MD
LG