Lidhje

Dy të arrestuar për plane terroriste në Bruksel


Prokurorët në Belgjikë thanë sot se policia ka arrestuar dy persona që dyshohet se kishin planifikuar sulme terroriste gjatë festave të fundvitit në Bruksel.

Prokurorët thanë se hetuesit gjetën të dhëna që linin të kuptohej se ekzistonte “rreziku për sulme të rënda që do të kishin në shënjestër disa objekte simbolike” në prag të Vitit të Ri.

Prokuroria nuk përmendi konkretisht objektet e mundshme në deklaratën e saj. Kryeqyteti i Belgjikës, është edhe qendra e selive të Komisionit Evropian dhe NATO-s, si edhe zyrave të shumë agjencive të Kombeve të Bashkuara.

Arrestimet u bënë të dielën dhe të hënën, pasi gjatë kontrolleve pranë Brukselit dhe qytetit Liege, u gjetën uniforma ushtarake dhe materiale me propagandë për Shtetin Islamik. Autoritetet thanë se nuk u gjetën armë ose eksplozivë. Fillimisht u ndaluan gjashtë persona, por katër prej tyre u liruan. Një nga të arrestuarit u akuzua se kishte vepruar si udhëheqës i një grupi terrorist dhe se kishte rekrutuar të tjerë për akte terroriste.

Prokururët thanë se ky rast nuk ishte i lidhur me sulmet e 13 nëntorit në Paris, që shkaktuan vdekjen e të paktën 130 vetëve. Disa nga të dyshuarit për ato sulme, përfshirë organizatorin, kishin lidhje me Belgjikën. Në gjashtë javë që nga sulmet e Parisit, policia në Belgjikë ka bërë arrestime në bastisje të shumta kundër terrorizmit.

Një nga këto arrestime u bë javën e kaluar, kur autoritetet ngritën akuza ndaj një burri të dyshuar se kishte kontakte me kushërirën e personit që mendohet të ishte organizatori i sulmeve të Parisit, Abdelhamid Abaaoud.

Abaaud dhe kushërira e tij, Hasna Ait Boulahcen, u vranë në një bastisje të policisë në Saint Denis të Francës, disa ditë pas sulmeve.

Policia është ende në kërkim të Salah Abdeslamit, belgut të lindur në Bruksel që dyshohet për përfshirje direkte në sulme.

XS
SM
MD
LG