Lidhje

Kamera me lazër për restaurime


Restaurimi i ndërtesave historike në formën origjinale zakonisht fillon me matjet e detajuara të të gjithë elementeve që nga dyert dhe dritaret në mënyrë që të çmontohen dhe të riparohen siç kanë qënë më parë. Por puna disa mujore për matjet korrekte tani mund të bëhet brenda disa ditëve, falë teknologjisë së avancuar me kamerat me rreze lazer.

Një shtëpi e ndërtuar në vitin 1842 sipas arkitekturës së asaj kohe dhe përdorur si vend pushim veror nga presidenti Abraham Lincoln gjatë Luftës Civile...

Në një prej dhomave presidenti nënshkroi Proklamatën për Emancipimin, duke i dhënë fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Ruajtja e kësaj pjese të historisë është e rendësishme, ndaj një ekip i vogël nga Kolegji Ithaca në Nju Jork punoi për dy javë në këtë shtëpi duke përdorur kamera me rreze lazër për skanimin e gjithçkaje që nga porta hyrëse e deri tek oxhaqet.

Udhëheqësi i projektit, profesori i fizikës Michael Rogers, thotë se kamera zëvendëson një ekip të tërë punonjësish:

“Skanojmë nga brenda çdo dhomë nga dy pozicione që të kemi mbulim të plotë të dhomës. Pastaj bëjmë skanimin nga jashtë. Për këtë ndërtesë ndoshta nga 12 pozicione të ndryshme përreth shtëpisë.”

Profesori thotë se pavarësisht ku ndodhet kamera, të gjitha pikat e skanimit përputhen në sistemin e kordinatave të krijuara për ndërtesën. Programi kompjuterik llogarit pikat e skanimit dhe krijon një foto 3 demensionale të ndërtesës të krijuar nga miliona pika në distancë 5 milimetra nga njëra-tjera. Fotografia mund të shihet nga çdo drejtim, brenda apo jashtë.

Kjo u mundëson specialistëve që të kryejnë matje preçize.

Manaxheri për ruajtjen e shtëpisë së presidentit Lincoln, Jeffrey Larry, thotë se kjo është një mënyrë perfekte për projektet e restaurimit:

“Mund të marrësh një dhomë të caktuar dhe të studiosh detajet arkitektuale dhe nga aty të regjistrosh ato gjëra që duhen restauruar në bazë të kohës.”

Projekti financohet nga Kolegji Ithaca. Profesori Michael Rogers thotë se ekipi i tij ende po mëson se çfarë mund të bëhet me një kamera që kushton 95 mijë dollarë:

“Gjëja interesante është se si të përdorim kameran për të skanuar një ndërtesë si kjo, si mund të bëhet me efikasitet dhe të sigurohemi që kemi skanuar të gjitha pjesët që duhen.”

Profesori thotë se ekipi i tij janë të etur të gjejnë se çfarë lloj të dhënash do të jenë në gjendje të nxjerrin nga një skanim kaq i detajuar.

XS
SM
MD
LG