Lidhje

Carter për strategjinë kundër Rusisë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter tha se Shtetet e Bashkuara "nuk do të mbështeten në strategjitë e përdorura gjatë Luftës së Ftohtë në trajtimin çështjes së Rusisë, por në një kombinim të mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake për t'iu kundërvënë agresionit rus në Ukrainë. Ai i bëri komentet në Berlin para se të udhëtonte për në Estoni për takime me ministrat e mbrojtjes të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të cilat kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter tha se Shtetet e Bashkuara do të japin kontributin e tyre për forcën e re të reagimit të shpejtë të NATO-s, pjesërisht për të ndihmuar Evropën që t’i kundërvihet një agresioni të mundshëm rus:

"Jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të japin ndihmnën e tyre për Forcën e Përbashkët të Reagimit të Shpejtë. Mbështetja jonë do të përfshijë informacione kundërzbulimi, operacione ajrore, ndihmë për komandën dhe operacionet speciale, ekspertizë logjistike dhe pajisje, armë të sofistikuara dhe pajisje të tjera. Ne jemi duke e bërë këtë që pas takimit mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë disa javë më parë. Ne mbeshtesim Forcën e Reagimit të Shpejtë, sepse Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të angazhuara për mbrojtjen kolektive të Europës ashtu siç e kemi bërë gjithmonë për shumë dekada".

Ai tha se nuk ka dëshirë për një kthim në një Luftë të Ftohtë ose një konflikt të ri, aktiv me Rusinë, dhe se sanksionet ekonomike ndaj Rusisë kanë prodhuar efektin e dëshiruar duke krijuar vështirësi ekonomike për Moskën.

Ai komentoi në Berlin para se të shkonte për në Estoni për takime me ministrat e mbrojtjes së tre vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Zoti Carter do të marrë pjesë në takimin e NATO-s që do të mbahet të mërkurën dhe të enjten në Bruksel ku do të diskutohen planet për trajtimin e çështjes së Rusisë pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes ushtarake që ajo u jep separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Sekretari Carter pritet të flasë për propozimin amerikan për dislokimin e tankeve dhe pajisjeve të tjera për një brigadë ushtarake dhe për programe stërvitjeje në Evropën Lindore. Ai nuk e ka miratuar zyrtarisht këtë ide dhe zyrtarët amerikanë nuk kanë thënë saktësisht se ku do të dislokohen pajisjet ushtarake, por mendohet se ato do të vendosen në Poloni, vend kufitar me Rusinë.

XS
SM
MD
LG