Lidhje

Fakte të reja për aferën CEZ-DIA


Ish drejtori i DIA-s, dëshmitar nën mbrojtjen e policisë pretendon se ka marrë kërcënime nga një jurist i OSHE-së. Ish ministri Dritan Prifti: Meta mbështeti Ismalilajn. PD: Do kërkojmë anullimin në Kushtetuese të marrëveshjes së Qeverisë me CEZ-in dhe hetim ndërkombëtar

Në Shqipëri fakte të reja kanë dalë në dritë lidhur me aferën mes kompanisë Cez e cila drejtonte sistemin e Shpërndarjes së Energjisë dhe shoqërisë Debt International Advisory, (DIA)e cila drejtohej nga Kastriot Ismailaj, personi cili aktualisht është në burg në akuzën e pastrimit të parave. Ish drejtori DIA-s, një person i cili është marrë në mbrojtje nga policia, dhe që konsiderohet si dëshmitar kyc në procesin e Arbitrazhit të Vjenës mes DIA-s dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë, tanimë me emrin OSHE, në pronësi të shtetit shqiptar ka deklaruar se është kërcënuar nga një jurist i kompanisë. Akuzë kjo e hedhur poshtë prej këtij të fundit. Ndërkohë, ish ministri i EKonomisë Dritan Prifti u shpreh mbrëmë se ka qenë zoti Ilir Meta ai që ka këmbëngulur që DIA, e Ismailajt të merrte përsipër mbledhjen e borxheve të CEZ-it. Po dje në mbrëmje Partia demokratike njoftoi se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e marrëveshjes mes Qeverisë shqiptare dhe Cez, që coi në zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës, si dhe paraqitjen e një ligji që do të mundësonte që e gjithë kjo cështje të hetohet nga prokurorë të huaj.

Rasti i kërcënimit të pretenduar ndaj ish drejtorit të DIA-s, u bë publik nga gazetari i televizionit “News 24” Artan Hoxha, i cili publikoi dhe videon e takimit mes atij që tani është dëshmitar në cështjen e DIA-s dhe një juristi të OSHE-së Rezart Ruci. Dëshmitari, rrëfeu para kameras së “News 24” se juristi Ruci i kishte thënë se ata kishin bindjen se informacionet që kanë dalë në dritë për këtë rast kishte qenë ai që i kishte shpërndarë në media. Sipas tij, juristi ishte interesuar nëse kishte gjëra të tjera që do të mund të dilnin, dhe se duhet të tregonte “përndryshe nuk do t’i kisha punët mirë”, rrëfen dëshmitari.

Nga ana e tij Ruci ka pranuar se ka patur takim, qëllimi i të cilit ishte shqetësimi për rrjedhjen e informacionit, pasi një gjë e tillë mund të dëmtonte vendimin e pritshëm në Arbitrazhin e Vjenës. Edhe një epror i tij, ka pohuar të njejtën gjë dje në “News 24”, duke mohuar të jetë ushtruar trysni. Madje sipas këtij të fundit, të gjithën këtë dëshmitari po e bënte qëllimisht pasi, një kompani e dëshmitarit e administruar nga bashkëshortja ishte në gjykatë nën akuzën e mashtrimit me Tatimin mbi Vlerën e shtuar, dhe se ai kishte kërkuar të ndikohej për mbylljen e këtij procesi.

Pamjet e takimit mes dëshmitarit dhe juristit të OSHE-së tregojnë për një bisedë të shkurtër mes tyre, ndërkohë që juristi Ruci, shihet disa herë teksa largon telefonat celularë nga tryeza ku janë ulur, ndërsa ish drejtori i DIA-s, e rimerr telefonin e tij. Sipas këtij të fundit, Ruci druhej se mos biseda mund të rregjistrohej.

Cështja e DIA-s doli në dritë pas një artikulli të BIRN, rrjeti i gazetarisë investigative në Ballkan, e cila publikoi një raport të studios ligjore Clifford Chance. Raporti bënte fjalë për dyshime se një ish-kryeministër shqiptar i gjykuar dhe më parë për korrupsion, si dhe një ish zyrtar I Entit Rregullator të Energjisë, kishin favorizuar DIA-n në këmbim të ryshfeteve. Sipas BIRN-it, që mbështetej dhe në dëshmitë e ish drejtorit cek të CEZ, përshkrimi përkonte me zotin Meta, i cili në kohën e tratativave mes CEZ-it dhe DIA-s ishte ministër i Jashtëm në Qeverinë Berisha, dhe më pas u bë ministër i Ekonomisë në vend të zotit Dritan Prifti. Ky i fundit duke folur mbrëmë në emisionin Opinion të Blendi Fevziut tha se zoti Meta kishte këmbëngulur që ai, si ministër t’i bënte kërkesë me shkrim CEZ-it që të pranonte DIA-n për mbledhjen e borxheve. Sipas zotit Prifti, të paktën 500 mijë euro që DIA mori fillimisht nga CEZ-i kaluan, një pjesë e madhe prej 350 mijë eurosh për një kompani të afërt me zotin Meta sipas tij, ndërsa 150 mijë të tjera në një kompani të vëllait të zotit Petrit Ahmeti, kreu aktual i ERE-s, në atë kohë këshilltar pranë këtij Enti dhe autor i një studimi që DIA ja kishte paraqitur CEZ-it.

Nga ana e saj Partia demokratike tha mbrëmë se sipas saj, e gjithë marrëveshja që qeveria e kryeministrit Edi Rama arriti me CEZ-in për një zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit, i cili kishte përfunduar gjithashtu në Arbitrazh ndërkombëtar “është një aferë e madhe korrupsioni”, u shpreh deputeti Eduard Halimi, ndërsa njoftoi se javën e ardhshme do të kërkohet nga Gjykata Kushtetuese, rrëzimi I kësaj marrëveshjeje. Një pikë e dyshimtë e saj është dhe fakti se qeveria shqiptare heq dorë nga ndjekja penale e zyrtarëve cek të CEZ-it.

Për Partinë Demokratike, në një cështje ku sipas saj është përfshirë kryeministri i vendit dhe kryetari i parlamentit, nuk mund të ketë një “hetim të plotë e të pandikuar të prokurorisë vendase. Me pushtetin e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre”,u shpreh zoti Halimi, duke njoftuar një tjetër nismë të opozitës. “Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, si përgjegjësit kryesorë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte drejtësi për këtë skandal me përmasa qindra milionë euro”, deklaroi zoti Halimi.

Nga ana e tij, zoti Meta më pare, gjatë ditës së djeshme, ishte shprehur në favor të përfshirjes së prokurorëve ndërkombëtarë për këtë cështje, “madje, do ta konkretizoja akoma më tej këtë ide duke i ftuar të gjithë kryetarët e partive parlamentare t’i kërkojmë në mënyrë të veçantë SHBA-ve të jenë të angazhuara në zbardhjen e kësaj çështje dhe të krijojmë një juridiksion të veçantë me prokuror amerikan, për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të saj, e cila pretendohet se i ka kushtuar disa qindra milionë euro qytetarëve shqiptarë dhe ku janë përmendur, janë akuzuar mjaft figura politike dhe qeveritare”, u shpreh zoti Meta.

XS
SM
MD
LG