Lidhje

Kina zhvleftëson monedhën 2 përqind


Kina zhvleftësoi sot vlerën e monedhës së saj pas një raporti me tregues të dobët ekonomike, duke e çuar Juanin në pikën më të ulët në pothuajse tre vite. Autoritetet kineze e quajnë këtë masë pjesë të reformave të tregut të lirë. Analistët mendojnë se kjo manovër nuk do të ketë ndikim të madh për ekonominë kineze.

Banka qendrore tha se zhvlerësimi i monedhës me 2 për qind pasqyron më mirë kursin e këmbimit dhe forcat e tregut. Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se manovra sugjeron se kjo është një përpjekje për të ndihmuar eksportet.

Të dhënat e publikuara gjatë fundjavës tregojnë se eksportet kineze ranë me 8.3 përqind në korrik. Shkak ishte rënia e kërkesës nga Evropa, Amerika dhe Japonia.

Francis Lun është ekspert për ekonominë me qendër në Hong Kong.

“Si rezultat i juanit të fortë, meqë është i lidhur me dollarin amerikan, eksportet kineze janë bërë shumë të shtrenjta. Sipas një studimi, në një periudhdë 10 vjeçare kostoja e prodhimit në Kinë u rrit 8.5 herë, duke iu afruar asaj në Shtetet e Bashkuara. Eksportet kineze nuk mund të konkuronin më.”

Por zoti Lun shton se zhvlerësimi me dy për qind do të ketë efekt të vogël në ekonomi.

“Dy përqindëshi nuk do të thotë gjë. Po të kishim rënie me 10 për qind atëherë mund të kishim diçka.”

Ekonomia e dytë në botë ka njohur ngadalësim të tregjeve këtë vit dhe disa ekonomistë besojnë se po zgjerohet shumë më pak se sa synimi zyrtar me 7 për qind këtë vit.

Ndërkohë, shumë kinezë kanë ndjenja të përzjera lidhur me zhvlerësimin. Ja si shprehet një 40 vjeçar që punon në siguracione.

“Duhet të jetë një gjë e mirë për jetët e njerëzve. Do të jetë më e lehtë për eksportet dhe më lehtë të shesësh.”

24 vjeçari Ma Ting që merret me biznes, nuk ka këtë mendim.

“Do të jetë mire për eksportet e vendit, por për mua do të jetë më e shtrenjtë të udhëtoj jashtë”.

Metoda që përdor banka qendrore kineze për uljen ose ngritjen e vlerës së monedhës nuk është bërë e njohur publikisht ndonjëherë. Shumë besojnë se kjo taktikë përdoret shpesh për të ndikuar tregun në vartësi të synimeve politike.

XS
SM
MD
LG