Lidhje

Pasojat e luhatjeve financiare në Kinë


Vlera e aksioneve globale ra ndjeshëm për të gjashtën ditë radhas sot dhe çmimet e naftës u ulën në nivele që nuk ishin pare që në fillim të viteve 2000, pasi Kina e uli vlerën e yuanit dhe aksionet në Shangai ranë 7 për qind, duke ngjallur frikën për zhvlerësim të monedhave në gjithë Azinë.

Më pak se gjysmë ore pasi u hap bursa, shkëmbimi i aksioneve u pezullua për të dytën here këtë javë. Çmimet e naftës së papërpunuar ranë me 5 për qind, në nivelin më të ulët që prej pothuajse 12 vjetësh, nga shqetësimet për dobësimin e kërkesës nga Kina dhe një rënieje të vazhdueshme çmimesh, shkaktuar nga mbiprodhimi.

Edhe bursat evropiane pësuan rënie, me disa indekse që u ulën me mbi 2 për qind.

“Është krijuar një luhatje, pasiguri dhe pakënaqësi përsa u takon tregjeve kineze, por edhe përsa i takon ekonomisë kineze dhe mendoj se fakti që përsëri pati një zhvlerësim të yuanit në tregjet globale të aksioneve, ishte një shtytje për veprimin e sotëm”, - thotë analisti financiar Alastair McCaig.

Banka Popullore e Kinës e përcaktoi vlerën mesatare të yuanit në 6.5646 për dollar, 0.5 për qind më poshtë sesa një ditë më herët. Ishte ulja më e madhe nga një ditë në tjetrën që nga gushti.

Investitorët druhen se ekonomia e Kinës është më e dobët sesa ç’ishte menduar dhe Pekini, në përpjekje për të ndihmuar eksportuesit, e lejoi përshpejtimin e zhvlerësimit të yuanit.

Një shqetësim në rritje për investitorët, në planin gjeopolitik ishte edhe pretendimi i Koresë së Veriut se kishte bërë një provë me bombë me hidrogjen.

Obligacionet gjermane, që konsiderohen të fuqishme dhe të sigurta paten gjithashtu pasoja, Interesi dhjetëvjeçar ra nën 0.50 për qind për herë të parë që prej një muaji.

“Megjithë problemet e Kinës, edhe Evropa ka çështje të vetat që duhet t’i zgjidhë. Sigurisht, vëmendja është tek Spanja, ndërsa përpiqet të krijojë një koalicion. Po ashtu ka shqetësime për statusin e Britanisë në Bashkimin Evropian. Më gjerë, paqendrueshmëria politike ka mbërthyer vende jo vetëm në Eurozonë por edhe përtej në BE”, - thotë zoti McCaig.

Rënia masive ka ardhur në një moment shumë të pafavorshëm për naftën, çmimet kanë rënë rreth 70 për qind që nga qershori 2014 duke shkaktuar probleme për kompanitë që e prodhojnë dhe qeveritë që varen nga të ardhurat e shitjes së naftës.

XS
SM
MD
LG