Lidhje

Dialogu mes SHBA dhe Kinës


Zyrtarët amerikanë thanë se do të zhviollojnë “bisedime shumë të drejtpërdrejta" me zyrtarët kinezë gjatë dialogut vjetor të nivelit të lartë, që po mbahet në Washington.

Siguria kibernetike, pretendimet detare të debatueshme të Kinës dhe përpjekjet e pëbashkëta për të luftuar ndryshimet klimatike, janë mes çështjeve kryesore që pritet të trajtohen gjatë takimeve.

Bisedimet u hapën të hënën, me një seri takimesh në kuadrin e Dialogut Strategjik të Sigurisë, të cilin një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e cilësoi të sinqertë.

"Pala kineze është treguar e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë në trajtimin e çështjeve për të cilat kemi mosmarrëveshje dhe kanë treguar vullnet në përpjekjet për të gjetur mënyra për ngushtimin e mosmarrëveshjeve për këto çështje shumë të ndjeshme në marrëdhëniet mes të dy vendeve", - tha zyrtari.

Agjencia kineze e lajmeve, HSINHUA, tha se të dyja palët patën "një shkëmbim thelbësor pikëpamjesh, për çështje që përbëjnë shqetësim të përbashkët" dhe thanë se janë dakord që të vazhdojnë të nxisin besimin dhe të përmirësojnë marrëdhëniet.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Thesarit Jacob Lew takohen të martën me zëvendëskryeministrin kinez Wang Yang dhe Këshilltarin e Shtetit Yang Jiechi në kuadrin e Dialogut më të gjerë Strategjik dhe Ekonomik amerikano-kinez.

Shqetësimet kiberentike

Një burim tensionesh i kohëve të fundit mes SHBA dhe Kinës ka qenë çështja e sigurisë kibernetike, për të cilën zyrtari i Deparatmentit të Shtetit tha se "sigurisht që do të do të jetë objekt i bisedimeve në mënyrë tepër të drejtpëdrejtë."

Shtetet e Bashkuara janë duke hetuar një sulm kibernetik masiv që pati si objektiv të dhënat private të rreth 4 milionë punonjësve dhe ish-punonjësve qeveritarë.

Hetuesit thonë se duket që sulmi filloi vitin e kaluar, megjithëse ai u zbulua vetëm dy muaj më parë.

Qeveria amerikane nuk e ka akuzuar hapur Kinën për sulmin. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se po zhvillohet një hetim, për të përcaktuar në se Kina ka lidhje me sulmin.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk bien gjithmonë dakord për çështjen e sigurisë, apo mbrojtjes kivernetike, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby.

“Sigurisht, që është një prej këtyre fushave ku ka vend për bashkëpunim më të mirë, dialog më të mirë dhe më tepër transparencë", - tha ai.

Nismat klimatike

Të hënën, Sekretari i Energjisë, Ernest Moniz përcaktoi një seri përpjekjesh bashkëpunimi mes SHBA dhe Kinës lidhur me ndryshimet klimatike, pëfshirë një Projekt për Kapjen, Përdorimin dhe Depozitimin e Karbonit.

Projekti i energjisë së ripërtëritëshme përfshin kapjen e dioksidit të karbonit të çliruar nga burime si termocentralet, me synimin e ripërdorimit të gazeve të çliruara, ose depozitimit të tyre, që ato të mos hyjnë në atmosferë.

“SHBA dhe Kina do të vazhdojnë të udhëheqin përpjekjen për ta çuar më tej ambicien tonë për energji të pastër, qoftë në vendet tona, apo në mbarë botën," - tha Sekretari Moniz.

Në të njëjtin takim të hënën, Përfaqësuesi i Posaçëm i Kinës për Ndryshimet Klimatike, Xie Zhenhua, tha se SHBA dhe Kina do të kishin një ndikim të rëndësishëm tek ndryshimet klimatike, në nivel dy-palësh, apo shumë-palësh.

Çështja e ndërtimeve në Detin e Kinës Jugore

Një nga çështjet më të mprehta që SHBA do t'i ngrenë Kinës në takime është aktiviteti ndërtues i Pekinit në rajone të debatueshme në Detin e Kinës Jugore.

SHBA ngritën shqetësimin se ndërtimet e Kinës në ishujt dhe shkëmbinjtë nënujorë, mund të kufizojë lëvizjen e anijeve dhe avionëve të huaj. Kina thotë se ndërtimet e saj janë "të ligjshme".

“Kjo nuk ka të bëjë me pranimin e status quosë"- tha zoti Kirby.

Ai tha se SHBA e kanë bërë të qartë shqetësimin lidhur me aktivitetet e Kinës që po ndërton ishuj artificialë dhe militarizimit të të paktën disa prej tyre.

Të martën, nënpresidenti Joe Biden flet në fillim të seancës së Dialogut Strategjik dhe Ekonomik, ku do të përfshihen edhe seanca shtesë për ndryshimet klimatike dhe dialogun lidhur me nxitjen për gratë në poste drejtuese.

Zyrtarët thonë se dialogu tre-ditor, po ashtu do të ndihmojë për të përgatitur terrenin për vizitën e Presidentit kinez Xi Jinping në Uashington në shtator.

XS
SM
MD
LG