Lidhje

Publikohet raporti mbi teknikat e marrjes në pyetje nga CIA


Një raport i Senatit thotë se Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, ka torturuar persona të dyshuar si terroristë pas sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, gjatë procesit të marrjes në pyetje të këtyre personave, në forma që bien ndesh me vlerat amerikane.

Komisioni i Senatit për Zbulimin e nxori të martën raportin, duke thënë se CIA kishte keqtrajtuar të burgosur që i dyshonte për terrorizëm dhe nuk i kishte dhënë informacionin e plotë kongresit dhe publikut lidhur me efektivitetin e këtyre metodave për të nxjerrë informata nga të dyshuarit. Ndër metodat e përdorura ishin privimi i gjumit dhe simulimi i mbytjes në ujë.

Senatorja Dianne Feinstein u shpreh gjatë prezantimit të raportit: “sido që ta përkufizosh këtë term, CIA ka torturuar të ndaluar”.

“Kjo tregon se veprimet e CIA-s një dekadë më parë janë një njollë mbi vlerat dhe historinë tonë”.

Kur erdhi në post, Presidenti Barak Obama ndaloi përdorimin e taktikave të torturimit të të dyshuarve për terrorizëm që i kishte autorizuar para-rendësi i tij George Bush pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Pas nxjerrjes së raportit, drejtori aktual i CIA-s John Brennan pohoi se gjatë marrjes në pyetjeve të ndaluarve për terrorizëm, agjencia “nuk respektoi standardet e larta që i ka vënë vetes”.

Por ai tha se CIA “ka nxjerrë mësime nga gabimet e saj”. Ai iu kundërvu përfundimit të Senatit se metodat e marrjes në pyetje nuk ishin të efektshme, duke thënë se përkundrazi ato “ndihmuan për të parandaluar sulme me avionë, për të kapur terroristë dhe për të shpëtuar jetë”.

Ish-drejtori i CIA-s Michael Hayden hodhi poshtë akuzat se CIA ka gënjyer për këtë program. Ai tha se nxjerrja e raportit e bën më të vështirë bashkëpunimin në të ardhmen të vendeve të tjera me Uashingtonin në luftën kundër terroristëve.

Objekte diplomatike dhe ushtarake amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara kanë qenë në gjendje gatishmërie për reagime të dhunshme ndaj raportit.

Raporti i Senatit është dokumentimi i parë publik i torturave për të cilat akuzohej CIA gjatë asaj që administrata e Presidentit Bush e cilësoi si Lufta Globale kundër Terrorizmit.

XS
SM
MD
LG