Lidhje

Reagime në SHBA ndaj raportit për CIA-n


FILE - A man crosses the Central Intelligence Agency (CIA) logo in the lobby of CIA Headquarters in Langley, Virginia.
FILE - A man crosses the Central Intelligence Agency (CIA) logo in the lobby of CIA Headquarters in Langley, Virginia.

Senatori republikan John McCain ishte njëri nga disa anëtarët e partisë së tij që e përshëndetën publikimin e raportit mbi praktikat brutale të CIA-s për marrjen në pyetje pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara. Zoti McCain, dikur i burgosur lufte në Vietnam, komentoi plot pasion në mbështetje të raportit prej 6000 faqesh, një përmbledhje e të cilit u publikua dje. Ai foli në hollësi për ato që mund të barazohen me tortura në burgjet e fshehta të CIA-s jashtë vendit.

Duke folur në sallën e Senatit, zoti McCain vlerësoi raportin e Komisionit të Zbulimit mbi taktikat e marrjes në pyetje të elementëve të kapur të al-Kaidës dhe personave të tjerë ndërmjet viteve 2002 dhe 2009 në burgjet sekrete të CIA-s në Afganistan, Poloni, Rumani, Kubë dhe vende të tjera.

"Mendoj se populli amerikan ka të drejtë, madje ka përgjegjësinë për të ditur atë që është bërë në emër të tij, të dijë nëse këto praktika i kanë shërbyer ose jo interesave tona, dhe nëse përputhen me vlerat tona më të rëndësishme," tha senatori McCain.

Senatori McCain shpreson se raporti, i cili flet për praktika të tilla si simulimi i mbytjes apo privimi i gjumit dhe hidratimi, do të parandalojë dukuri të ngjashme në të ardhmen.

"Përdorimi i torturës kompromenton atë që na dallon ne më tepër nga armiqtë tanë, besimin tonë se të gjithë njerëzit, edhe armiqtë e kapur, zotërojnë disa të drejta themelore të njeriut, të cilat mbrohen nga konventat ndërkombëtare, ku Shtetet e Bashkuara jo vetëm aderojnë por edhe i kanë hartuar në pjesën më të madhe."

Zoti McCain, kritik i shpeshtë i administratës, në këtë rast nuk u bashkua me partinë e tij, por dënoi këto praktika abuzive të marrjes në pyetje, të cilat, thotë ai, nuk çojnë në kapjen e terroristëve.

"Natyrisht ne kemi nevojë për informacione zbulimi për të mundur armiqtë tanë, por kemi nevojë për informacione të besueshme. Tortura prodhon informacione më të pasakta se sa zbulimi në terren."

Zoti McCain e ka vuajtur vetë torturën gjatë pesë vjetëve e gjysmë që u mbajt i burgosur në Vietnamin e Veriut, deri sa u lirua në vitin 1973. Nën trysni, ai nënshkroi një deklaratë të propagandës komuniste para se më në fund të kthehej në atdhe me dëmtime të pariparueshme.

Republikanët dhe zyrtarë të tjerë të ish-administratës së presidentit Bush, vazhdojë të mbrojnë taktikat e CIA-s për marrjen në pyetje, duke thënë se ato ndihmuan për të parandaluar sulme të tjera terroriste.

"Nga administrata, nga Kongresi dhe nga publiku amerikan presionet ishin të mëdha: a do të ketë një sulm tjetër? Sepse kishte plot raporte ku thuhej se po planifikoheshin sulme të tjera," tha zoti Allen, ish nëndrejtor i CIA-s.

Senatori republikan Saxby Chambliss, i cili fillimisht e kundërshtoi publikimin e raportit, në fillim të këtij viti votoi pro publikimit të tij.

"Unë votova për për deklasifikimin e raportit, por publiku i gjerë le të vendosë vetë nëse kjo u bë siç duhet dhe nëse nga këto taktika u nxorën informacione që çuan jo vetëm në eliminimin e Bin Ladenit, por edhe në zbulimin e komploteve të tjera terroriste gjatë një periudhe shumëvjeçare," tha senatori nga shteti Georgia.

Presidenti Barak Obama i ndaloi praktikat e debatueshme në vitin 2009 dhe e ka mbështetur publikimin e raportit, pavarësisht paralajmërimeve se ai mund të shkaktojë një reagim të ashpër nga persona armiqësorë ndaj Shteteve të Bashkuara. Ambasadat dhe misionet amerikane jashtë vendit janë vënë në gjendje gatishmërie të veçantë.

XS
SM
MD
LG