Lidhje

Hillari Klinton dhe zgjedhjet e 2016s


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton largohet këtë javë nga posti i kryediplomates amerikane. Por, çfarë do të bëjë ajo në të ardhmen? Korrespondenti i Zërit të Amerikës pranë Departamentit të Shtetit Scott Stearns, thotë se tani për tani zonja Klinton nuk po merr në konsideratë një tjetër fushatë presidenciale.

Pyetja në se do të garojë për presidente, e ka ndjekur Hillari Klintonin përgjatë gjithë qëndrimit të saj në postin e Sekretares së Shtetit gjatë administratës Obama.

Gjatë konferencës së fundit për shtyp si diplomatja më e lartë e Amerikës, pyetja erdhi nga një studente gjermane, më shumë si një koment sesa si një pyetje, se në rast se zgjidhet presidente e Shteteve të Bashkuara në 2016-ën, Hillari Klintoni do të ishte një simbol i rëndësishëm për gratë në mbarë botën.

"Tani nuk po mendoj për një gjë të tillë. Pres me padurim të përfundoj detyrën si sekretare e shtetit dhe dua të ngopem me gjumë se më ka munguar për gati 20 vjet."

Hillari Klinton kërkon të shohë më shumë gra të konkurojnë për poste të larta.

"Eshtë në dorën time të marr vendime për të ardhmen time. Tani për tani nuk do ta bëj një gjë të tillë. Por do të bëj gjithçka mundem që grate të konkurojnë në nivelet më të larta, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por në mbarë botën."

Ajo tha se politikanët duhet të thyejnë stereotipet që ekzistojnë për postet në drejtim të pushtetit.

"Gratë po i nënshtrohen procesit politik që nuk është asnjëherë i lehtë. Do të doja të shihja më shumë raste të tilla. Duhet të kesh vullnet të fortë. Por është shumë e rëndësishme që gratë të konkurojnë në nivele më të larta në qeveri dhe biznes."

Pasi humbi kandidaturën e partisë demokrate në vitin 2008 ndaj Barak Obamës, zonja Klinton bëri fushatë të fuqishme për zgjedhjen e tij si president dhe thotë se ishte çuditur kur presidenti i kërkoi të bëhej sekretare e Shtetit.

Përgjigja e saj fillimisht ishte “jo”. Por në intervistën e fundit të saj në programin 60 Minuta, të rrjetit CBS ajo shpjegoi se do të kishte dashur që Obama të shërbente në kabinetin e saj, në se do të ishte ajo që do të ishte zgjedhur presidente, kështu që mendoi se duhet të thoshte “po”.

Katër vjet më vonë ajo largohet nga Departamenti i Shtetit me vlerësimin më të lartë të opinionit publik, me gati një emër të njohur në shkallë botërore dhe me një mirënjohje të presidentit Obama për diplomacinë e saj dhe atë të bashkëshortit të saj, i cili ndihmoi presidentin në fushatën e vitit 2012.

Në se administata e presidentit Obama përfundon me sukses, Hillari Klinton do të përfitojë nga suksesi si hartuese e politikës së jashtme. Në se administrate nuk përfundon me sukses, Klintoni përfiton përsëri, pasi u largua herët nga administrata.

Deklaratat “nuk kam interes për momentin” nuk e kanë shuar entuziazmin e përkrahësve të zonjës Klinton.

Përkrahësit e saj javën e kaluar regjistruan organizatën “Gati për Klintonin" në Komisionin Federal të Zgjedhjeve. Me 50 mijë pasues në Twitter, grupi thotë se është gati të punojë për të “kur ajo të jetë gati të hyjë në garë”. Grupi nuk ka lidhje zyrtare me ndonjë nga këshilltarët e zonjës Klinton.
XS
SM
MD
LG