Lidhje

Pak histori dhe fati i Krimesë


Shumica e popullsisë ruse në gadishullin e Krimesë po përgatitet të votojë në referendumin e së dielës, për t’u bashkuar me Rusinë, apo për të mbetur pjesë e Ukrainës. Në këtë kronikë nga Washingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës André de Nesnera bisedoi me ambasadorin Jack Matlock, ekspert me përvojë për Rusinë, lidhur me situatën në atë rajon.

Që nga fundi i shekullit të 18-të, Krimea ishte pjesë e Rusisë. Ambasadori i fundit amerikan në Bashkimin Sovjetik (1987-1991), Jack Matlock, thotë se gadishulli ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë ruse, sidomos në arenën ushtarake.

"Njerëzit anglishtfolës ndoshta nuk e kuptojnë se një nga betejat e njohura mes forcave britanike dhe atyre ruse në vitin 1854, ndodhi pikërisht gjatë luftës së Krimesë. Leon Tolstoi, romancieri i madh, shkroi disa nga tregimet e tij të hershme bazuar mbi këtë temë - ai ishte oficer artilerie në anën ruse. Baza detare në Sevastopol ka qenë bazë e flotës ruse në Detin e Zi, që kur u krijua kjo flotë në fund të shekullit të 18-të".

Gjatë luftës civile ruse, Krimea u bë bazë për Ushtrinë e Bardhë, forcat anti-bolshevike, që luftuan kundër Ushtrisë së Kuqe.

Në vitin 1954, udhëheqësi sovjetik Nikita Khrushchev ia dha gadishullin Ukrainës, në atë kohë republikë sovjetike.

Por tani Krimea është nën kontrollin e forcave të armatosura ruse, të cilat hynë në gadishull muajin e kaluar. Zyrtarët rusë thonë se ndërhyrja ishte për të mbrojtur banorët ruse të Krimesë që përfaqësojnë shumicën e popullsisë së gadishullit. Por zyrtarët perëndimorë thonë se nuk ka fakte, që rusët kanë nevojë për mbrojtje.

Ambasadori Matlock thotë se duke marrë kontrollin ushtarak të Krimesë, Rusia ka shkelur sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin territorial të këtij vendi.

Ish ambasadori amerikan nuk është dakord me ata që thonë se presidenti rus Vladimir Putin veproi në këtë mënyrë në Krime, sepse e ndjeu se Presidenti Barack Obama ishte i dobët.

“Ai e bën këtë pjesërisht, dhe unë mendoj se kjo e dëmton së tepërmi kauzën e tij, sepse sipas tij, që për mua e ka gabim, ai mendon se politika amerikane në veçanti dhe ajo e Perëndimit në përgjithësi, synon ta rrethojë Rusinë ushtarakisht dhe ai nuk ka për ta pranuar këtë gjë. Asnjë udhëheqës rus nuk do ta pranonte një gjë të tillë."

Ambasadori Matlock thotë se ata që thonë se zoti Obama është i dobët, çojnë sinjale të gabuara.

“Shumë nga ata që ankohen se ne po dukemi të dobët janë pikërisht ata që ndikuan në mbajtjen e një qëndrimi më të fortë nga ana jonë dhe që na çuan në luftën në Irak ku humbën jetën në mënyrë tragjike rreth 5 mijë jetë amerikanë. Është tërësisht absurde të mendosh, se në se Obama do të ishte treguar më i fortë, ai do ta kishte nënshtruar Rusinë. Rusia e sheh ndërhyrjen në Krime si një mbrojtje e interesave të veta, për mendimin tim, aspak e mençur dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e mëparshme. Ata mund të thonë të njëjtën gjë lidhur me disa veprime tonat vetëm disa vjet më parë."


Referendumi në Krime për t’u bashkuar me Rusinë apo për të qëndruar si pjesë e Ukrainës, është planifikuar për të djelën.

Ambasadori Matlock thotë se në rast se votuesit vendosin të bashkohen Rusisë, çdo veprim për ndryshimin e kufijve do të shkelte Aktin Përfundimtar të Helsinkit të vitit 1975.

Mes të tjerash, atje thuhet se në se kufijtë ndryshohen, duhet një marrëveshje e përbashkët e të gjitha palëve të përfshira, në këtë rast, Rusia dhe Ukraina.

“Shpresoj që qevria ruse do të thonte se kemi detyrimin politik sipas Aktit Përfundimtar të Helsinkit, që Bashkimi Sovjetik e nënshkroi dhe si pasues i atij shteti, ne kemi të njejtat detyrime, prandaj nuk mund ta pranojmë Krimenë, derisa qeveria ukrainase, e cila është de jure një vend sovran, të bjerë dakord me këtë."

Ambasadori Matlock thotë se kjo do të ishte një lëvizje e shkëlqyer politike nga presidenti Putin dhe do të qetësonte tensionet në një rajon të paqëndrueshëm.

Përsa i përket referendumit të së dielës, Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre evropainë dhe qeveria ukrainase thonë se përbën shkelje të kushtetutës së Ukrainës dhe është i paligjshëm.
XS
SM
MD
LG