Lidhje

Kryeministri serb viziton Maqedoninë


Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ishte për vizitë në Shkup ku bisedoi me kolegun e tij Nikolla Gruevski mbi bashkëpunimin ekonomik, çështjet infrastrukturore dhe projekte të tjera. Ai është shprehur se Maqedonia duhet të përmbahet në qëndrimet ndaj Kosovës deri sa Beogradi dhe Prishtina të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Lidhur me pllakën përkujtimore në Preshevë, Kryeministri Daçiç, tha se Serbia nuk mund të tolerojë një përmendore të tillë në sheshin e një qyteti të saj.

Ivica Dacic erdhi në Shkup në vizitën e tij të parë zyrtare në cilësinë e kryeministrit të Serbisë. Ai u prit me një ceremoni në hyrje të selisë së qeverisë së Maqedonisë, sipas protokolleve shtetërore për krerët e huaj shtetërorë. Ministrat shqiptarë të BDI-së në qeveri nuk ishin të pranishëm. Zyrtarë të partisë shqiptare kanë shprehur pakënaqësi me vizitën për shkak të ngjarjeve në Luginën e Preshevës.

“Kur unë mund të flas me Thaçin në Bruksel nuk di pse ngrenë zërin nga kjo parti që të mos mund të flas me mikun tim Gruevski dhe me popullin mik maqedonas”, tha kryeministri serb Dacic.

Ndërkohë kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se nuk kishte dëgjuar për komentet e partnerit të koalicionit qeveritar, BDI.
Kryeministrat Dacic dhe Gruevski kanë biseduar për korridorin dhjetë, për lidhjet infrastrukturore, energjitike, për hapjen e pikave të reja kufitare, për çështjet integruese, për çështjen e kishave të dy vendeve; kisha ortodokse serbe nuk e njeh autoqefalinë e kishës maqedonase.
Kryeministri serb tha se afërsia e dy popujve duhet shfrytëzuar për forcimin e lidhjeve.
Maqedonia nuk rrezikohet nga veriu as për ekzistencën e as për identitetin e saj, ndërsa Serbia vetëm se mund të ndihmojë nëse Maqedonisë rreziku i kanoset nga ndonjë palë tjetër. Në kuptim politik, sigurisht, shtoi kryeministri Dacic.
Ai e ka njoftuar kolegun e tij maqedonas për dialogun me Prishtinën dhe dëshirën për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi. Duam paqe dhe qëndrueshmëri në të gjithë rajonin, tha ai.
Kryeministri serb Ivica Dacic e quan problematike qasjen e Maqedonisë ndaj Kosovës, ndërkohë që tha se qëndrimet e Serbisë dhe Maqedonisë dallojnë në këtë aspekt. Ai bëri të ditur se e ka lutur, siç tha, kolegun e tij Gruevski që në këto kushte Maqedonia të ketë një qasje të përmbajtur, në mënyrë që t’i kontribuojë dialogut dhe përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi.
Kryeministri maqedon Nikolla Gruevski thotë se nuk ka çështje të mëdha të hapura midis Maqedonisë dhe Serbisë dhe se problemi i kishave nuk është nën kompetencën e qeverive por shpreh gatishmëri për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve.
I pyetur nga gazetarët se kur shqiptarët e Luginës së Preshevës do t’i gëzojnë të drejtat e tyre siç i gëzojnë serbët në Kosovë, kryeministri serb u përgjigj: “me siguri atëherë kur serbët në Kosovë t’i gëzojnë ato të drejta”, duke shtuar dhe se shqiptarët në Preshevë e Bujanoc i gëzojnë të drejtat sikur se të gjitha komunitetet e tjera.

“Sa për pllakën përkujtimore, Serbia nuk është Republikë bananesh”, u shpreh kryeministri Dacic, duke thënë se “ajo ka ligjet e saj dhe duke e krahasuar UCPMB-në me organizatat terroriste.

Nëse shihni në Nju Jork një përmendore të Al Kaidas, në Spanjë apo në Londër të grupeve terrorsite... nuk mund të komentoj tjetër gjë”, tha kryeministri serb, përveç se ky është, sipas tij, një provokim për shtetin e Serbisë.

Në Preshevë, siç tha, ekzistojnë njëzet e dy përmendore për UCK-në, UCPMB-në, etj, dhe se shteti ka heshtur derisa përmendorja e tillë u vendos në sheshin para ndërtesës së komunës së Preshevës. Kjo sipas tij, nuk ka lidhje me të drejtat e njeriut dhe shtroi pyetjen se pse nuk ishte kërkuar leje për ngritjen e saj.

Kryeministri serb Ivica Dacic vlerëson se drejtuesit politikë shqiptarë nuk kanë guxim të ngrejnë çështjen e lidhjes së territoreve sepse nuk guxojnë nga perëndimi.
XS
SM
MD
LG