Lidhje

DASH, urdhër për evakuimin e ambasadës në Jemen


Sipas mediave, mbyllja e një sërë ambasadash amerikane u bë pas kapjes së disa bisedave të drejtuesve të al-Kaedës

Departamenti amerikan i Shtetit dha urdhër për evakuimin e personelit jo të domosdoshëm nga ambasada amerikane në Jemen për shkak të kërcënimeve terroriste, ndërsa po dalin njoftime se mbyllja e një sërë ambasadave amerikane u bë pas kapjes së disa bisedave të drejtuesve të al-Kaedës.

Departamenti i Shtetit po ashtu u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Jemen të largohen nga ky vend, pasi mundësia e sulmeve terroriste ose e paqëndrueshmërisë civile është “jashtëzakonisht e lartë”.

Britania e ka tërhequr gjithë personelin e saj nga Jemeni për shkak të rrezikut.

Ndërkohë zyrtarët në Jemen thonë se një raketë, që dyshohet të jetë lëshuar nga një aeroplan pa pilot amerikan, vrau katër persona që mendohet të jenë anëtarë të al-Kaidës në provincën Marib.

Po sot, sipas shtypit amerikan, mbyllja e ambasadave amerikane në një sërë vendesh, u shkaktua nga bisedat e përgjuara mes udhëheqësit të al Kaedës Ayman al-Zawahiri dhe kreut të fraksionit të këtij grupi në Jemen.

Sipas njoftimeve al-Zawahiri i kishte dhënë urdhër Nasir al Wuhashit, udhëheqësit të al Kaedës për Gadishullin Arabik të kryente sulme sa më shpejt, duke filluar nga
e djela që sapo kaloi. Al-Wuhashi u ngrit kohët e fundit në përgjegjësi si numri dy i al-Kaedës.

Analistët thonë se komunikimi i përgjuar mes tyre lë të kuptohet se al-Zawahiri po punon përmes degëve rajonale tani që bërthama e vetë al-Kaedës është dobësuar ndjeshëm.
XS
SM
MD
LG