Lidhje

Dënimi me vdekje në SHBA


Megjithëse shumica e vendeve të tjera të industrializuara e kanë hequr dënimin me vdekje, në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara ai vazhdon të aplikohet. Anketimet tregojnë se ka rënë mbështetja e publikut amerikan për dënimin me vdekje, por vazhdon të jetë në nivelin e lartë prej 60%. Sidoqoftë, sondazhet tregojnë edhe se ata që janë në favor nuk ndjehen të bindur për sigurinë e sistemit gjyqësor dhe për mënyrën se si ekzekutohen këto dënime.

Kur ekzekutohen dënimet me vdekje në këtë burg në Huntsville të Teksasit, kundërshtarët janë gjithnjë të pranishëm.

“Sot njerëz nga i gjithë shteti janë mbledhur t’i thonë ‘JO’ dënimit me vdekje.”

Teksasi kryen më shumë dënime kapitale se çdo shtet të tjetër, 16 vitin e kaluar. Sondazhet tregojnë se shumica e teksanëve e mbështesin dënimin me vdekje.

Një ndër ta, Dudley Sharp, thotë se ekzekutimet ndalojnë vrasësit të kryejnë krime në të ardhmen.

“Nuk ka asnjë të dhënë që dënimi me vdekje të mos ketë efekt, ndërkohë që ka prova të shumta se i pengon kriminelët e ardhshëm.”

Zoti Sharp thotë se shumica e familjeve të viktimave kërkojnë drejtësi proporcionale, por nuk gjejnë prehje nga ekzekutimet.

“E gjitha ka të bëjë me humbjen e një jete të pafajshme nga një vrasje e padrejtë.”

Avokati nga Hjuston, Pat Monks, kundërshton dënimin me vdekje. Ai thotë se këto dënime zbatohen nëpërmjet një sistemi gjyqësor të mbushur me gabime.

“Ne themi se sistemi është i përsosur, ndërkohë që nuk është.”

Zoti Monks përmend raste kur prova të reja kanë sjellë lirimin e të dënuarve me vdekje. Ai e quan këtë lloj dënimi një praktikë arkaike që Amerika e ka trashëguar nga një vend, i cili tashmë vetë e ka anuluar.

“Rrjedh prej Anglisë dhe sistemit të saj ligjor, ku mbreti është pronar i të gjithëve dhe i shtetit.”

Në fillim të dhjetorit, një gjykatë apeli pezulloi ekzekutimin e të dënuarit Scott Panetti, i cili është diagnostikuar me skizofreni.

Avokatja nga Hjustoni, Kathryn Kase, e Shërbimit Mbrojtës të Teksasit, që përfaqëson Panettin, thotë se vëmendja mbarëkombëtare për këtë rast është inkurajuese.

“Në këtë rast shohim një vetëndërgjegjësim në rritje në Shtetet e Bashkuara se nuk dëshirojmë të ekzekutojmë njerëz me sëmundje mendore.”

Shteti i Teksasit pretendon se Panetti përmbush kriteret e shëndetit mendor. Por zonja Kate thotë se ekzekutimi i një të sëmuri të tillë nuk i shërben qëllimit të dënimit me vdekje, siç e parafytyrojnë shumica e njerëzve.

"Dënimin me vdekje supozohet që e ruajmë për më të këqinjtë. Problemi është se kur vjen momenti të vendosim se kush janë këta, atëherë nuk jemi konsekuentë.”

Anketimet tregojnë se moshat e reja kanë prirjen të mbështesin dënimet me burgim të përjetshëm, dhe se gjysma e të gjithë të anketuarve janë pro ekzekutimit të të sëmurëve mendorë.

XS
SM
MD
LG