Lidhje

Debati i dytë i kandidatëve demokratë


Një ditë pas sulmeve në Paris ku u vranë 129 persona, terrorizmi u shndërrua në temën kryesore të fushatës për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Republikanët e trajtuan këtë temë gjatë fjalimeve të tyre dhe kandidatët demokratë biseduan për sigurinë kombëtare dhe terrorizmin gjatë një debati televiziv të mbajtur në Iowa dhe të transmetuar drejtpërsëdrejti nga kanali CBS.

Fillimisht u mbajt një minutë heshtje për viktimat e terrorizmit në Paris. Debati filloi me ish-Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, që mbajti një qëndrim të ndryshëm nga Presidenti Obama, i cili pati deklaruar se Shteti Islamik ishte izoluar:

“Duhet ta shikojmë ISIS-in si një rrjet ndërkombëtar terrori që përbën kërcënimin kryesor. Nuk mund të izolohet; duhet mposhtur dhe këtë gjë nuk mund ta bëjë Amerika e vetme.”

“Të gjitha kombet duhet të shtojnë përpjekjet, të vendosin trupa në rajon; kjo është një betejë për vetë thelbin e Islamit,” reagoi kandidati Bernie Sanders.

Zoti Sanders rikujtoi në vazhdim votën e zonjës Clinton në vitin 2003:

“Do të thoja se pushtimi katastrofik i Irakut, që unë e kundërshtova, ka shpërbërë të gjithë rajonin dhe shkaktoi forcimin e al Kaidës dhe ISIS-it.”

Zonja Clinton dhe ish-Guvernatori i shtetit Maryland, Martin O’Malley, përsëritën angazhimin për të marrë 65 mijë refugjatë në SHBA, pas një kontrolli të kujdesshëm:

“Nuk dua në asnjë mënyrë që të marrim persona që do të dëmtonin vendin tonë.”

Pas sulmeve në Paris, kandidatët republikanë kundërshtuan këto plane:

Donald Trump:

“Presidenti ynë dëshiron të marrë 250 mijë veta nga Siria.”

Mike Huckabee:

“Është çmenduri të marrim njerëz që jetojnë në shkretëtirë, që nuk flasin gjuhën tonë, nuk kuptojnë kulturën tonë, dhe t’i sjellim në Minesota gjatë dimrit.”

Gjatë debatit, zonja Clinton u sulmua për lidhjet e saj me korporatat e mëdha në Wall Street:

“Do të presim nga presidenti ynë që të mbrojë ekonominë nga teprimet në Wall Street.”

Zonja Clinton mbrojti lidhjet e saj me korporatat financiare, duke përmendur përsëri sulmin e vitit 2001 ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë:

“Kam harxhuar shumë prej kohës time duke i ndihmuar të rindërtojnë dhe të sfidojnë terroristët që sulmuan vendin tonë.”

Profesori i shkencave politike, Steffen Schmidt, i tha Zërit të Amerikës se me këtë debat zonja Clinton konsolidoi avantazhin e saj:

“Ajo u tregua e fortë dhe e vendosur. Zmbrapsi sulmet, ruajti humorin dhe foli në momentin e duhur për çështjet e grave dhe u duartrokit shumë për këtë gjë.”

Demokratët do të mblidhen për debatin e ardhshëm në mesin e muajit dhjetor, ndërkohë që gara është transformuar prej sulmeve terroriste.

XS
SM
MD
LG