Lidhje

Dhunë në Krasnoarmeysk


Rajonet lindore, rusisht-folëse të Ukrainës, janë përfshirë nga dhuna, ndërsa forcat separatise pro-ruse kanë marrë disa qytete nën kontroll dhe forcat qeveritare kanë ndërhyrë për t’i rivënë kontrollin mbi to. Një prej incidenteve ka qënë ai së djelës, gjatë referendumit të organizuar nga forcat separatiste. Forcat qeveritare të dërguara në qytet për të ndaluar referendumin duket se kanë qëlluar mbi protestuesit. Zëri i Amerikës arriti të siguronte një video amatore që tregon persona me uniforma duke qëlluar mbi turmën.

Në pamjet filmike shihen njerëz me uniforma ushtarake, të cilët, siç njofton Associated Press, ishin ushtarë të gardës kombëtare, që mbërritën në bashkinë e Krasnoarmeyskut.

Synimi i tyre ishte të ndalonin votimin në referendumin për shkëputjen nga Ukraina.
Kur turma refuzoi të largohej, ata qëlluan në ajër. Por pastaj, siç tregon videoja, disa qëlluan drejt turmës. Një burrë, i veshur me të bardha, u plagos dhe u vra në vend dhe një tjetër u plagos rëndë në këmbë.

Dëshmitarët i kanë thënë Zërit të Amerikës se pasi u hoq trupi i viktimës së parë, një person tjetër qëlloi me gurë ndërtesën. Ai u qëllua në kraharor dhe vdiq gjatë rrugës për në spital.

Në videon dhe fotografitë e para nga Zëri i Amerikës, duket se asnjëri prej tyre nuk ishte i armatosur.

Kishte paqartësi rreth identitetit të personave në ndërtesë dhe qeveria ukrainase është zotuar të hetojë këtë ngjarje si dhe incidentet e tjera që kanë ndodhur gjatë javëve që kur aktivistët pro-Rusë morën kontrollin e ndërtesave qeveritare në disa qytete lindore.

Ditën pasuese, njollat e gjakut dukeshin ende në trotuar, i mbuluar pjesërisht nga lule. Dy personat që vdiqën u identifikuan si Vadim Khudiz dhe Yuri Mykolenko.
Zinaidia Vlasilevna thotë se ajo ishte dëshmitare e të shtënave:

"Një person shkoi në katin e dytë dhe hapi dritaren dhe njerëzit as nuk u larguan, nuk kishin frikë. Ata qëndronin atje, ndërsa unë këtu po u bërtisja ‘më qëlloni mua dhe jo fëmijët.’”

Mari Kolomoyets, një pronare dyqani aty pranë, tha se ajo ishte përpjekur të qetësonte situatën, por bashkëshorti i kishte thënë të shkonte në shtëpi.

“U kërkova djemve të mos përziheshin, pasi rreziku ishte i madh, mund t’i zinte ndonjë plumb. Bashkëshorti më thirri kur mësoi se isha këtu, dhe sa arrita në shtëpi ndodhën vrasjet. Po të kisha qenë atje nuk do të kisha lejuar që të ndodhte një gjë e tillë. Do t’i kisha dalë përpara plumbit. Do t’i kisha mbrojtur ata fëmijë, ne jemi aq të pambrojtur. Asnjë nuk ishte armatosur, njerëzit kishin vetëm lapsa për të marrë pjesë në votime.”

Dëshpërimi mes njerëzve rreth dhunës në rritje është i dukshëm. Maria thotë se ajo ishte e sigurt se votimi i të dielës nuk ishte legjitim, por ajo besonte me të vërtetë se ishte shpresa e fundit për paqe.

“Ishte pika e fundit, shpirtrat tanë qajnë.”

Për shumë njerëz në këtë qytet, shpresa u thye nga plumbat.

XS
SM
MD
LG