Lidhje

Teknologjia e diodës që perhap dritë


Këtë vit, Çmimi Nobel për Fizikën ju dha shpikësve të diodës që emeton dritë, e njohur ndryshe si LED dhe që tani përdoret në mbarë botën. Megjithatë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë dhe Bankës Botërore, më shumë se 1 miliard njerëz në botë nuk kanë energji elektrike. Pas perëndimit të diellit, shumica prej tyre përdorin dritën e kandilit apo llampave me vajguri. Një kompani në Hollandë po mundohet ta ndryshojë këtë situatë duke u bazuar pikërisht tek teknologjia LED.

Një nga temat e diskutimit në takimin e fundit të Bankës Botërore ishte energjia e ripërtëritshme në botë. Po ashtu, temë diskutimi ishte edhe mungesa e energjisë elektrike në vendet e varfëra si për gatim ashtu edhe për ndriçim. Por në horizont po shfaqen disa teknologji të reja me kosto të ulët që mund të ndihmojnë në kapërcimin e situatës.

Kur bie nata, shumë fëmijë në pjesët rurale të Haitit, Ruandës apo në këtë kamp refugjatësh në Siri, lexojnë apo bëjnë detyrat nën dritën e kandilit apo llampës me vajguri. Shpesh herë, ato shkaktojnë zjarr ndërsa tymrat toksike shkaktojnë probleme tek rrugët e frymëmarrjes.

Drita portative elektrike është më e sigurtë, më e shëndetshme dhe tani më pak e kushtueshme. Camille van Gestel drejton kompaninë holandeze WakaWaka.

“Është hera e parë që drita artificiale apo solare LED është më pak e kushtueshme se vajguri.”

LED është shkurtimisht për diodë që transmeton dritë, burim i sigurtë dhe efikas drite që përhap ndriçim të bardhë të fortë.

Van Gestel thotë se WakaWaka, që nënkupton dritë që shkëlqen në gjuhën swahili, sot për sot në botë është burimi më efikas me energji diellore dhe karikuesi i telefonave. Pas karikimit të plotë, ajo jep ndriçim deri në 16 orë. Financiarisht është e përballueshme dhe bateria ka jetëgjatësi të madhe. Mund të vihet në çdo sipërfaqe të rrafshët, të varet në tavan apo të vihet mbi një shishe qelqi. Van Gestel thotë se kjo teknologji është për njerëzit më të varfër.

“Synimi kryesor janë shtresa më e varfër që jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë.”

Van Gestel thotë se kompania e tij vepron si çdo biznes tjetër, por fitimet kryesore nga produktet e tjera i përdor për të bërë paisjet ndriçuese WakaWaka për njerëzit e varfër. Ai thotë se nisma mbështetet nga organizata ndërkombëtare joqeveritare.

“Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit ishte një prej të parëve që çoi në Siri paisjet WakaWaka, për të ofruar ndriçim dhe elektricitet për refugjatët dhe tani kjo paisje është më e vlerësuara përveç ushqimit.”

Gjatë dy viteve të fundit, kompania ka shpërndarë rreth 300 mijë paisje në vende si Siria, Haiti, Ruanda, Indonezia dhe Filipinet. Kompania synon që deri në vitin 2030 të shpërndajë paisje për 1.2 miliard njerëz.

XS
SM
MD
LG