Lidhje

Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve


Konfliktet në Irak, Ukrainë dhe Siri janë bërë shkak i një vale refugjatësh, gjë që po tërheq vëmendjen tek njerëzit që janë zhvendosur me vite.

Sot është dita e refugjatëve, dhe numri i atyre që janë zhvendosur ka kaluar shifrën 45 milion, numri më i madh i refugjatëve gjatë dy dekadave të fundit. Konfiktet e armatosura janë shkaktari kryesor.

Numri i refugjatëve dhe personave të zhvendosur në Irak po rritet. Vitet e fundit, sirianët po u shtohen irakianëve që kanë lënë shtëpitë e tyre pas konfliktit të vitit 2003. Numri i personave të zhvendosur po rritet në veri të Irakut pas sulmeve të fundit të grupeve militante suni. Shumë turkmenë etnikë kanë lënë qytetin e Tal Afarit.

“Jemi shumë të frikësuar. Kemi frikë se do të bombardohemi, apo se do të na ndodhë ndonjë gjë e keqe. Kjo është arsyeja përse jemi larguar”, thotë ky refugjat.

Anëtarë të frontit turkmen në Irak, si Kasimi, thonë se do t'u kundërvihen sulmeve.

“Turkmenët gjendën në një situatë të vështirë në Tal Afar. Rreth 150 mijë njerëz kanë ikur. Ata kërkojnë ndihmë. Ata nuk do të harrojnë kurrë këtë që po ndodh.”

Refugjatët sirianë në Jordani, Turqi dhe Liban kanë filluar të humbin shpresën se do kthehën në shtëpitë e tyre. Disa fëmijë të lindur aty, kurrë nuk e kanë parë vendin e origjinës. Shefi i agjencisë së refugjatëve të Kombëve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka vizituar disa nga kampët e stërmbushura këtë javë.

“Vetëm 20 përqind e fëmijeve sirianë në Liban ndjekin mësime të rregullta, në shkolla ku mund të marrin diploma dhe të përparojnë. Ne kemi nevojë për më shumë mbështjetje për refugjatët sirianë nga komuniteti ndëkombëtar, por nuk duhet harruar dhe mbështetja për Libanin dhe Jordaninë—vende që po përballen me sfida të mëdha”, thotë zoti Guterres.

Sistemimi i turmave të mëdha të refugjateve, nga vendet pranë zonave të konfliktit, është një barrë e konsiderueshme. Zoti Guterres vazhdimisht bën thirrje për donacione më të mëdha nga shtetet e zhvilluara.

“Më shumë se kurrë, ne sot kemi nevojë për zemërgjerësi për refugjatët sirianë nga komuniteti ndërkombëtar. Ajo që ka bërë komuniteti ndërkombëtar është shumë pak në krahasim me vuajtjet dhe nevojat e njerëzve që kemi takuar,” thotë zoti Guterres.

Ndërsa donatorët hasin vështirësi për të përballuar nevojat e refugjatëve ekzistues, konfliktet e fundit po krijojnë një valë të re të zhvendosurish. Gjatë muajit të fundit, rreth 90,000 njerëz kanë ikur nga konflikti mes ushtrisë pakistaneze dhe militantëve në veri të Vaziristanit.

“Kemi ikur për shkak të bombardimeve. Kur avionët dhe helikopterët filluan të bombardonin, ne vendosëm të ikim,” thotë ky refugjat nga Vaziristani.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë vitit të fundit, dikush është detyruar të largohet nga shtëpia e tij çdo 4 sekonda. Megjithatë, shifrat paraqesin vetëm një pjesë të vogël të kësaj katastrofe njerëzore.

Konfliktet shkatërrojnë jetën e mijëra familjeve. Rreth gjysma e refugjatëve janë nën moshën 18 vjeçare dhe një numër i madh i tyre ikin të vetëm.
XS
SM
MD
LG