Lidhje

Kostoja e arsimit në SHBA


Njëzet vjet më parë, shumë familje amerikane ishin në gjendje të gjenin mënyra për të paguar për arsimin universitar. Por që atëherë, shpenzimet për arsimin universitar janë rritur së tepërmi, duke i futur shumë studentë në borxhe të mëdha. Kjo është tema e dokumentarit Ivory Tower – Kulla e Fildishtë, të regjisorit Andrew Rossi.

Është një ditë e nxehtë në portin e qytetit të Aleksandrisë, pranë Uashingtonit. Por vapa nuk e frenon studentin Brandon Attilis, i cili gjatë verës punon për të fituar pak para. Paratë do t’i nevojiten atij kur të shkojë në kolegj, ku bashkë me dy shokë do të marrë me qera një shtëpi.

"Prindërit e mi janë duke paguar koston e shtëpisë, por unë duhet të paguajë për shërbimet. Në këtë mënyrë kostoja është më e ulët në krahasim me koston e banimit në konvikt".

Shumë gjëra janë në favor të Brandonit. Ai ka një etikë të mirë pune, është i shkathët dhe paratë e kolegjit i ka të paguara.

"Ne arritëm të paguanim katër vite të arsimit të tij universitar për më pak se sa shpenzimet e një viti në tregun e sotëm," thotë e ëma, Chris Attilis.

Ajo thotë se bashkë me burrin e saj filluan të kursenin për arsimin unversitar për secilin fëmijë menjëherë pas lindjes së tyre. Por shumica e studentëve nuk kanë të njëjtin fat.

"Borxhi i kredive studentore në vend ka arritur në një trillion dollarë".

Dokumentari i ri i regjisorit Andrew Rossi, Ivory Tower - Kulla e Fildishtë, tregon se studentët amerikane janë të mbytur në borxhe.

"Nëse do të kem fëmijë, kreditë e mia private do të kalojnë direkt tek ata madje edhe në qoftë se unë vdes. Kjo është e frikshme".

"Kostoja e arsimimit në kolegj është rritur rreth një mijë e njëqind përqind nga viti 1978 deri më sot".

Kjo është shkaktuar nga shumë faktorëve, duke përfshirë edhe mbështetjen më të vogël të qeverisë për arsimin e lartë për shkak të shkurtimeve buxhetore. Regjisori Rossi thotë se pas diplomimit, gjysma e studentëve nuk gjejnë punë ose punojnë me orar të shkurtuar. Dokumentari i tij tregon se tregu i vështirë i punës nuk i pengon kolegjet të rrisin koston e shkollimit.

"Ka nga ata të cilët thonë se disa nga shkollat më të njohura në vend kanë krijuar një emër për vete dhe ia vlen të paguash kosto të lartë për arsimimin në këto shkolla".

Në përpjekje për të tërhequr studentë dhe për të rritur prestigjin e tyre, kolegjet ndërtojnë kampuse mbresëlënëse dhe në fund studentët paguajnë për koston e ndërtimit të tyre.

Chris Attilis pati një përvojë të tillë kur vizitoi kolegjin e djalit të saj, Brandonit.

"Ata bënë një prezantim të bukur kur vizituam kampusin, duke na treguar edhe lavamanet prej graniti në banjot e konvikteve. Për mua këto nuk ishin faktorë të rëndësishëm kur kam shkuar në shkollë. I thamë atij se jemi duke paguar për një klub të pasurish".

Sipas dokumentarit, shumë nxënës vendosin të mos shkojnë në kolegj për shkak të shpenzimeve të papërballueshme. Disa të tjerë përpiqen t’i ndjekin studimet në internet, por Brandon thotë se arsimimi përmes interneti nuk është për të gjithë.

"Duhet të jesh i përkushtuar, të punosh shumë dhe vërtetë ta duash”.

Brandon është mirënjohës që ai do të arsimohet pa patur nevojë të hyjë në borxhe. Ai ndjehet sikur jeta e tij tani është si një linjë prodhimi, ku ai i ka të gjitha në rrugën e tij drejt marrjes së një diplome në fushën e biznesit, fitimin e përvojës në punë për të ndërtuar një rezyme. Këto gjëra do t’i ndihmojnë atij të ketë një karrierë dhe një familje pa borxhet e mëdha të arsimimit.

XS
SM
MD
LG