Lidhje

Debati për ndryshimin e identitetit gjinor dhe racor


Në Shtetet e Bashkuara, dy raste të ndryshimit të identitetit kanë shkaktuar debat lidhur me pyetjen nëse njerëzit kanë të drejtën të zgjedhin se kujt race apo gjinie i takojnë dhe ta ndryshojnë atë nëse nuk u pëlqen ajo më të cilën kanë lindur. Transformimi i atletit Bruce Jenner nga burrë në grua, u përshëndet gjerësisht. Por një aktiviste që tha se ishte zezake, u detyrua të jepte dorëheqjen nga puna kur u zbulua se prindërit e saj ishin të bardhë.]]

Rachel Dolezal, drejtore e degës së një shoqate për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Spokane të shtetit Uashington, dha dorëheqjen të hënën sepse kishte thënë se ishte zezake megjithëse është e bardhë nga lindja. Në një intervistë për televizionin NBC ajo tha së që e vogël ishte ndjerë zezake.

"Mund të them që që në moshën pesë vjecare bëja autoportrete me laps ngjyrë kafe dhe jo bezhë, dhe flokët në vizatim i kisha kacurrela. Ashtu e shihja veten”.

Prinderit e saj adoptuan disa fëmijë afrikano-amerikanë dhe ajo u rrit me ta. Ajo ka dy djem nga një martesë me një burrë zezak dhe jep mësim për kulturën afrikano-amerikane në një universitet në shtetin e Uashingtonit. Ajo gjithashtu ka ndryshuar pamjen në mënyrë që ajo të përputhet me atë që ajo ndjen se është identiteti i saj. Lajmi se ajo është e bardhë ka zemëruar shumë njerëz që thonë se Rachel Dolezal ka përfituar pa të drejtë duke pretenduar se është zezake.

"Zonja Dolezal, që të flasim më gjuhën e studiuesve në Shtetet e Bashkuara, duket se ka përqafuar cdo gjë të të qenurit zezak, përvec sakrificave. Historia është se tani të qenurit e bardhë mund të kërcënojë autenticitetin që ajo mund të ketë ndërtuar në jetën e saj”.

Para disa muajsh, Bruce Jenner, një atlet olimpik që ka qenë i martuar tre herë dhe ka gjashtë fëmijë, përfundoi transforimin fizik nga burrë në grua. Ndryshimi i identitetit të tij u prit përgjithësisht pozitivisht nga publiku, sic duket edhe nga kopertina e revistës Vanity Fair ku u shfaq pas ndryshimit. Por sociologët thonë se transformimi nuk e bën jetën të lehtë as për Dolezalin as për Jennerin.

"Të dyve do t’u duhet të përballen me njerëz për të cilët këto ndryshime bien ndesh me një mënyrë të menduari që ka rrënjë të forta lidhur me ato që konsiderohen kategori të natyrshme të racës dhe gjinisë”.

Ashtu si Dolezal, shumë besojnë se njerëzit duhet të kenë të drejtën të zgjedhin identitetin e tyre racor apo cfaredo lloj identiteti tjeter.

"Diskutimi në të vërtetë është se cdo të thotë të jesh njeri dhe shpresoj me gjithë zemër që kjo të udhëheqë diskutimet për racën, përkatësinë etnike, kulturën, vendimet dhe veprimet personale dhe në fund të fundit dinjitetin”.

Rasti i Jennerit, që tani quhet Caytlin duket se i ka hapur rrugën një tolerance më të madhe për identitetin e njerëzve. Por rasti i Dolezalit, tregon se debati për përcaktimin personal të identitetit është vetëm në fillimet e tij.

XS
SM
MD
LG