Lidhje

Separatistët në Donetsk në favor të referendumit


Separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore thonë se kanë në plan të vazhdojnë përgatitjet për organizimin e një referendumi muajin e ardhshëm për një autonomi më të madhe, pavarësisht marrëveshjes së Gjenevës të arritur mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës për t'i dhënë fund konfliktit politik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton nga qyteti Donetsk në Ukrainën Lindore.

Denis Pushilin, një udhëheqës i të ashtuquajturës "Republika Popullore e Donetskit", grupi i cili ka nën kontroll një ndërtesë rajonale të qeverisë në qytetin e Donetskit, thotë se planet për organizimin e një referendumi më 11 maj për t’i dhënë autonomi më të madhe rajonit janë në proces e sipër.

"Ne kemi çdo gjë gati për këtë, por ne nuk duam t’i zbulojmë planet tona sepse shumë njerëz në mjetet e informimit publik, nuk e kam fjalën për ju, po falsifikojnë informacionet. Pra, është më mirë që ta mbajmë të fshehtë".

Muajin e kaluar, Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë pasi banorët e saj kryesisht rusishtfolës votuan pro bashkimit me Rusinë në një referendum të ngjashëm.

Sergei Gerasimov, një mbështetës i militantëve në Donetsk, thotë se dëshiron më shumë autonomi, por nuk dëshiron të bëhet pjesë e Rusisë.

"Unë do të qëndroja në Ukrainë, por në një sistem federal, me të drejtat tona. Unë mendoj se Ukraina duhet të jetë e bashkuar".

Ndërmjetësuesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë u takuan me separatistët pro-rusë dhe zyrtarët lokalë në Ukrainën lindore në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit. Mark Etherington i OSBE-së tha se bisedimet ishin të dobishme.

"Ata shpjeguan qëndrimin e tyre. Ne gjithashtu diskutuam nevojën për dialog dhe për uljen e tensioneve dhe, natyrisht, nevojën për t’u përmbajtuar nga veprimet e dhunshme".

Por në Kiev, një zëdhënës i shërbimit të sigurimit të Ukrainës tha se qeveria "ruan të drejtën për të reaguar në mënyrë adekuate ndaj krimeve" që po ndodhin në Ukrainën lindore.
XS
SM
MD
LG