Lidhje

Çështja Doshi, prokuroria nis hetimet


Ndalohet personi që sipas deputetit Tom Doshi ishtë porositur të kryente atentatet ndaj tij dhe deputetit demokrat Fufi. Opozita kërkon mocion mosbesimi ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta

Në Shqipëri prokuroria njoftoi sot se ka nisur hetimet lidhur me deklarimet e deputetit Tom Doshi se ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi, ishte planifikuar një atentat, ndërsa është ndaluar dhe personi i cili dyshohet se sipas zotit Doshi, ishte porositur për ta kryer atë. Ngjarja është vënë në qendër të debatit politik. Opozita vendosi sot të kërkojë një mocion mosbesim ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta, i akuzuar nga zoti Doshi si porositësi i vrasjes së tij. Por zoti Meta, tha sot se 6 muaj më parë zoti Doshi kishte ofruar një tjetër variant sipas të cilit, ai dyshonte se vrasje ishte porositur nga të afërm të ish kryeministrit Sali Berisha.

Akuzat e Doshit, shpërthejnë polemikat
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Gjatë orëve të para të ditës së sotme në zyrën e kryeministrit Edi Rama u mblodhën kryeprokurori Adriatik Llalla, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho. Pak më vonë nga përfundimi i takimit prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve mbi deklarimet e zotit Doshi. Ndërsa kryeministri përmes një postimi në facebook shkruante se qytetarët “duan të dinë të vërtetën dhe atë mund ta thotë vetëm një hetim i plotë i organeve të Drejtësisë”. Sipas tij, gjithshka është “një telenovelë e shëmtuar që do të ketë një fund të palumtur për të gjithë ata që janë bërë bashkë për të përbatur qeverinë dhe shumicën parlamentare”.

Më herët gjatë natës, në përpjekje për të kaluar kufirin me Malin e zi është ndaluar një 36 vjecar, Durim Bani i cili rezulton të jetë personi i cili sipas deputetit Doshi ishte ngarkuar për vrasjen e tij dhe të deputetit tjetër demokrat Mhill Fufi, por që kishte zgjedhur t’ja tregonte këtë zotit Doshi. Bani sipas policisë është një person me precedent penal. Gati 10 ditë më parë ai kishte qenë objekt i një atentati, ndërsa në makinën e tij u gjet një sasi eksplozivi. Sipas deputetit Doshi, Bani është personi i paguar nga kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe se atentati ndaj tij iste një përpjekje për të zhdukur gjurmët.

Por zoti Meta, i vënë nën akuzë të drejtpërdejtë, tha sot se deputeti Doshi muaj më parë kishte shprehur shqetësim se përpjekjet për ta vrarë po organizoheshin nga të afërt të ish kryeministrit Sali Berisha: “Në dijeninë time, deri dje i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështjeje rezulton të jetë deputeti Tom Doshi. Eshtë e drejta e deputetit në fjalë t’i ndërrojë versionet e atentatit ndaj tij çdo 6 muaj sipas interesit të tij politik”.

Zoti Meta deklaroi se ai kishte kërkuar që përpara disa muajsh që kjo cështje të hetohej. Edhe zoti Doshi shprehet se në dijeni ishte vënë si Prokurori I Përgjithshëm ashtu dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili madje sipas zotit Doshi ka dëgjuar edhe vetë rrëfimin e Banit. Megjithatë mbetet e paqartë se përse hetimet u nisën vetëm sot.

Opozita nga ana e saj foli për një situatë tronditëse për vendin. Ajo ka vendosur të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta, i cili sipas saj sot duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të ishte vënë në dispozicion të Drejtësisë.

“Asnjë qytetar i vendit nuk e njeh më për kryetar Kuvendi, asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues, një të akuzuar për dy vrasje. Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret Prokurorin në zyrë. Eshtë ai që duhej të shkonte në zyrën e Prokurorit, e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eleminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha, duke theksuar se “në lojë janë fatet e vendit dhe se në kullën e pushtetit ka plasur lufta e klaneve.

Në Bruksel, e pyetur nga gazetarët shqiptarë, Maja Kocijancic, zëdhënësja e komisionit europian deklaroi se “ne presim një hetim të plotë të këtij rasti nga autoritetet kompetente shqiptare. Ne gjithashtu presim fjalime e sjellje të përgjegjshme, në veçanti mbi çështjet e sundimit të ligjit, nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike"

Dje edhe ambasada amerikane në Tiranë përshëndeti përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga grupi socialist duke u shprehur se ndaj tij kishte “dyshime se ishte përfshirë në veprimtari kriminale”, një akuzë e hedhur më pas poshte nga zoti Doshi i cili deklaroi se ka dhe një video prej 37 minutash me detaje mbi planin për vrasjen e tij.

XS
SM
MD
LG