Lidhje

Holanda: Putin duhet të ushtrojë influence mbi rebelët


Kryeministri i Holandës Mark Rutte tha sot se ia kishte bërë fare të qartë Presidentit Vladimir Putin se ai duhet të përdorë ndikimin e tij tek rebelët në mënyrë që ekspertët të mund të shkojnë pa pengesa në vendin e rrëzimit të aeroplanit malajzian.

Holandezët e kanë dënuar mënyrën se si trupat e viktimave janë trajtuar në Ukrainë dhe faktin që trupat ende nuk janë kthyer në vendet e tyre edhe pse kanë kaluar katër ditë nga tragjedia e së enjtes.

Rrëzimi i avionit Boeing 777 mbi Ukrainën lindore të enjten shkaktoi vdekjen e 298 personave në bord, mes tyre 193 holandezë.

Ligjvënësit holandezë braktisën pushimet për një takim sot me kryeministrin Rutte, i cili u tha atyre se kthimi sa më shpejt i trupave të viktimave, ishte përparësi e qeverisë së tij. Ai tha se një aeroplan ushtarak transporti ishte gati të sillte në atdhe trupat e viktimave, që po mbahen në një tren frigorifer në qytetin e kontrolluar nga rebelët. Kryeministri po ashtu tha se mund të vihen sanksione ndaj atyre që kanë lidhje direkte apo indirekte me pengimin e hetimeve.

"Kam folur fare hapur me presidentin rus. Nëse gjatë ditëve që pasojnë, qasja në vendngjarje mbetet e pamjaftueshme, atëherë të gjitha variantet, politike, ekonomike dhe financiare mbeten të hapura në tryezë, kundër atyre që kanë lidhje direkte apo indirekte. Kjo, edhe nëse konfirmohet se kush është përgjegjës.”

Në Australi, kryeministri Tony Abott, vendi i të cilit humbi 28 shtetas në tragjedi, tha se trupat e të gjitha viktimave duhet të trajtohen me respekt dhe dinjitet para se të riatdhesohen dhe se një hetim i rregullt ishte i nevojshëm për vënien e drejtësisë në vend.

Katër ditë pasi avioni me pasagjerë i linjës ajrore malajziane u godit në ajër, hetuesit ndërkombëtarë ende kanë qasje të kufizuar në zonën e tragjedisë në Ukrainën lindore. Trupa të tjerë u gjendën sot përgjatë zonës ku ra avioni. Po ashtu ka patur një ndërprerje energjie në trenin frigorifer ku po mbahen mbi 200 nga trupat e viktimave.

XS
SM
MD
LG