Lidhje

Pacientja amerikane shërohet nga Ebola


Mjekët thonë se një infermjere amerikane e diagnostikuar me Ebola pasi u kujdes për një pacient liberian, është tani pa virus.

Nina Pham, një infermjere në një spital të Dallasit në Teksas që trajtoi pacientin e parë të diagnostikuar me Ebola në Shtetet e Bashkuara, u tha gazetarëve dhe mbështetësve të saj të premten se është shumë mirënjohëse për shërimin e saj.

Ajo shtoi se është e ndërgjegjësuar për pacientët e tjerë që po luftojnë me sëmundjen, veçanërisht kolegen e saj, Amber Vinson, e cila u infektua gjithashtu nga i njëjti pacient.

Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë that ë premten se “ajo është kuruar nga Ebola. Dhe kjo është e qartë”. Ai tha se Pham nuk mori asnjë ilaç eksperimental ndërsa u trajtua në Institut dhe tha se nuk është e qartë se përse një pacient shërohet ndërsa një tjetër jo. Ia tha se mosha e Pham dhe gjendja e mire shëndetësore para virusit mund të kenë ndihmuar në luftën e saj ndaj sëmundjes.

Pham u takua të premten me presidentin amerikan Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë para se të kthehej në shtëpinë e saj në Teksas.

Spitali i Universitetit Emory në Atlanta, ku Amber Vinson po trajtohet, njoftoi të premten përmes Twitter-it se Vinson, gjithashtu nuk ka më virus, megjithëse nuk ka dale ende nga spitali.

Komisioneri i shëndetësisë së Nju Jorkut tha të premten se pacienti i tretë me Ebola, mjeku Craig Spencer, është në gjendje të qëndrueshme. Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio e konfirmoi rastin të enjten, duke thënë se Dr. Craig Spencer është tani në karantinë dhe nuk ka arësye për panik.

XS
SM
MD
LG