Lidhje

Zyrtarët amerikanë përballen me rrezikun e Ebolës


Zyrtari më i lartë amerikan për kontrollin e sëmundjeve tha se transmetimi i parë i Ebolës në Shtetet e Bashkuara kërkon një rishikim dhe ndryshim të protokolleve për të mbrojtur punonjësit e shëndetit publik nga virusi vdekjeprurës. Një infermiere në Dallas të Teksasit rezultoi se ka marrë virusin nga pacienti liberian Thomas Eric Duncan, i cili vdiq javën e kaluar.

Rasti i ri bëri që presidenti Barack Obama të ndryshonte programin e tij për t’u përditësuar nga zyrtarët e lartë lidhur me përpjekjet e parandalimit të Ebolës.

Shqetësimi rreth rastit të ri të Ebolës shkoi deri në Shtëpinë e Bardhë ku presidenti Obama ftoi kamerat në një konferencë të minutes së fundit për të folur mbi përgatitjet e e sistemit amerikan të shëndetësisë.

Më parë punonjësit e materialeve të rrezikshme pastruan apartamentin e infermieres së infektuar në Dallas, e cila është identifikuar tani nga anëtarët e familjes si 26 vjeçarja Nina Pham. Drejtori i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Thomas Frieden, iu drejtua publikut të alarmuar amerikan.

“Ndalimi i Ebolës është i vështirë. Ne duhet të reflektojmë për mënyrat ndaj kontrollit të infeksionit të Ebolës, pasi edhe një infeksion i vetëm është i papranueshëm.”

Pikërisht mënyra sesi u infektua infermierja është e panjohur. A u shkaktua kjo nga veshjet mbrojtëse të pamjaftueshme apo nga procedurat e spitalit. Zoti Frieden thotë se ai nuk mund të përjashtojë mundësinë e rasteve të tjera të infeksionit dhe njoftoi një fushatë urgjente paralajmërimi dhe sigurie për punonjësit e mjekësisë në vend me shpresën e parandalimit të rasteve të tjera të ngjashme.

“Njerëzit në vijat e para të frontit na mbrojnë të gjithëve. Armiku në këtë rast është Ebola. Nuk është një person, një vend, një spital, është një virus, një

Disa aeroporte amerikane po forcojnë procedurat e kontrollit për pasagjerët që mbërrijnë nga tre vende të Afrikës Perëndimore. Kjo mund të mos mjaftojë sipas kongresmenit republikan Michael McCaul, i cili nuk përjashton ndalimin e përkohshëm të dhënies së vizave amerikane për atë pjesë të Afrikës.

“Amerikanët kanë të drejtë të shqetësohen. Ata shqetësohen pasi virusi i Ebolës është një kërcënim i paparë. Dhe ai është vetëm një avion larg nga brigjet tona."

Shqetësimet janë shtuar përtej vendeve që kanë patur raste të Ebolës. Kryeministri Benjamin Netanyahu:

“Kjo është një epidemi globale. Ne po bashkëpunojmë me vende të tjera përveç mbrojtjes së kufijve.”

Por paniku është i pajustifikuar dhe i padobishëm sipas Dr. Ian Smith i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Frika e infeksionit është përhapur në mbarë botën më shpejt sesa virusi.”

Mes shqetësimeve në rritje, ka edhe lajme të mira: zyrtarët rusë të shëndetësisë thonë se kanë krijuar një vaksinë kundër Ebolës dhe janë gati ta testojnë.

XS
SM
MD
LG