Lidhje

Në kërkim të një vaksine për Ebolën


Në kërkim të vaksinës për ebolën
please wait

No media source currently available

0:00 0:10:34 0:00

Shpërthimi i epidemisë së fundit të Ebolës nxorri në pah nevojën për një vaksinë për parandalimin e kësaj sëmundjeje që është përhapur me shpejtësi në Afrikën Perëndimore dhe ka shkaktuar shqetësim në gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar për një plan ambicioz për mijëra doza vaksine që mund të vihen në dispozicion vitin që vjen. Një nga kompanitë që po punon për zhvillimin e një vaksine të tillë është GeoVax, një firmë bioteknologjike, pranë Atlantës në shtetin e Xhorxhas. Keida Kostreci e Zërit të Amerikës intervistoi Drejtorin e Departamentit për Zhvillimin e Vaksinave në këtë kompani, doktor Arban Domi, me një përvojë të gjatë në punën për zhvillimin e vaksinave.

Në kërkim të vaksinës për ebolën
please wait

No media source currently available

0:00 0:10:34 0:00

Zëri i Amerikës: Arban, ka disa kompani që po punojnë në drejtim të zbulimit të një vaksine për Ebolën. Ç’rol luan kompania juaj në këto përpjekje?

Arban Domi: Kompania GeoVax është futur në fushën e zhvillimit të një vaksine për Ebolën vetëm kohët e fundit, por ajo i sjell fushës një ekperiencë 15 vjeçare në zhvillimin e vaksinave për arsye se ne jemi duke zhvilluar një vaksinë kundër Sidës dhe rezultatet e deritanishme janë premtuese. Kështu eksperienca jonë dhe platformat që ne përdorim në vaksinën kundër Sidës do të ndihmojnë edhe në zhvillimin e një vaksine kundër Ebolës.

Zëri i Amerikës: Çfarë roli pritet të luajë vaksina për frenimin e epidemisë? A do të ketë ndikim ajo për njerëzit e prekur tashmë nga virusi, apo vetëm për të parandaluar infeksione të reja?

Arban Domi: Vaksina që zhvillohet në GeoVax është e pamundur që të jetë gati për epideminë aktuale. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa vaksina të tjera të cilat janë në testim e sipër në këtë kohë dhe është shumë e vështirë që këto vaksina të jenë gati për epideminë ekzistuese. Por do të jenë shumë të nevojshme për të ardhmen. Për këtë arsye GeoVax po zhvillon dy vaksina të ndryshme: njëra që quhet vaksinë epidemike dhe tjetra vaksinë parandaluese. Këto dy vaksina i japin përgjigje saktësisht pyetjes suaj. Vaksina epidemike është një vaksinë që përdoret në rastet kur janë epidemitë si në rastin aktual. Dhe përdoret jo vetëm për njerëz që janë në zona me rrezik të madh infektimi por edhe për ata të cilët mund ta kenë marrë tashmë virusin, por nëqoftëse vaksinohen në një kohë relativisht të shkurtër pas infektimit, vaksina do të ndihmojë organizmin që të reagojë shumë më shpejt ndaj virusit. Ndërsa vaksina tjetër, vaksina parandaluese e cila kërkon pak kohë më të gjatë për t’u zhvilluar, është një vaksinë që do të ndihmojë për parandalimin e sëmundjes, domethënë si gjithë vaksinat e tjera klasike, personat e vaksinuar nuk do të infektohen dot nga virusi, ose edhe nëqoftëse infektohen, sëmundja do të kalohet mjaft lehtë.

Zëri i Amerikës: Janë disa firma që po punojnë për vaksina për Ebolën, a janë ato vaksina të ndryshme? Si funksionon procesi?

Arban Domi: Në përgjithësi për Ebolën dhe për viruse të tjera, vaksinat kanë edhe ngjashmëritë dhe diferencat e tyre. Në rastin e Ebolës dhe në rastin e kompanisë sonë, ne e bazojmë vaksinën në një sistem të bazuar në një virus i cili është i padëmshëm për njeriun, nuk shumëfishohet tek njeriu por përdoret si element për të transportuar genet e Ebolës në organizmin e njeriut dhe keto gene në rastin e vaksinës së GeoVax-it janë dy, të cilat në organizëm do të prodhojnë dy proteina. Këto dy proteina duke reaguar me njëra-tjetrën do krijojnë struktura të ngjashme me virusin dhe është pikërisht kjo strukturë e ngjashme me virusin që do të nxisë sistemin imunitar të organizmit për të prodhuar antikorpe që do të ndihmojnë në eliminimin e virusit dhe prania e antikorpeve edhe përpara infektimit do të bëjë të mundur që në rast infektimi, virusi të mos zhvillohet. Edhe vaksinat e tjera janë të ngjashme. Shumica e tyre përmbajnë të paktën njërin nga genet që përmban vaksina jonë, por elementët transportues të geneve të Ebolës janë viruse të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Arban, cilat janë arsyet që deri tani nuk është zhvilluar një vaksinë e tillë kundër Ebolës?

Arban Domi: Faktikisht për sëmundje si Ebola është vështirë të zhvillosh vaksinë jo nga ana shkencore, sesa nga ana ekonomike përsa kohë nuk ndodh një epidemi e llojit aktual, për arsye se Ebola për herë të parë është zbuluar në 1976-ën dhe që atëherë deri në 2013-ën, ka pasur vetëm 1500-1600 raste të konstatuara dhe në një rast të tillë është ekonomisht dhe financiarisht e pamundur të bësh një vaksinë sepse të zhvillosh një vaksinë nga fillimi deri në fund, të jetë e gatshme për publikun, kërkon qindra-miliona dollarë. Por në rastin aktual kur epidemia ka marrë përmasa shumë të mëdha dhe aktualisht ka mbi 10 mijë raste nga të cilat mbi 5 mijë janë shoqëruar me vdekje dhe nga të dhënat e deritanishme mendohet që numri i të infektuarve mund të shkojë në qindra-mijëra, kjo ka bërë një shumë kompani, qoftë private qoftë shtetërore, qoftë institucione akademike, të investojnë dhe të përshpejtojnë punën në gjetjen e një vaksine, sepse deri tani është punuar por ka mbetur në nivelin e studimeve tek kafshët, për arsye se kalimi nga kafshët tek studimet tek njeriu, ka një kosto jashtëzakonisht të lartë, qindra-miliona dollarë.

Zëri i Amerikës: Arban, specialistët janë përpjkekur të qetësojnë publikun duke bërë të qartë se sëmundje të tjera ngjitëse përbëjnë edhe më shumë rrezik sesa Ebola. Ku qëndron sfida më e madhe e përballimit të Ebolës?

Arban Domi: Kjo është e vërtetë për arsye se sëmundjet infektive në botë shkaktojnë mijëra dhe qindra-mijëra vdekje në vit por specificiteti i Ebolës dhe sfida në rastin e Ebolës është se së pari nuk ka një vaksinë parandaluese, nuk ka një vaksinë terapike dhe nuk ka asnjë trajtim të mundshëm të virusit dhe të sëmundjes. E vetmja mënyrë për të trajtuar personat e infektuar është duke i hidratuar dhe duke i trajtuar me antibiotikë për të mos pasur infeksione të tjera që nuk janë të lidhura me Ebolën për të dobësuar organizmin.

Zëri i Amerikës: Arban, le të kalojmë tani tek një pjesë tjetër e rëndësishme e punës së kompanisë suaj por edhe përvojës suaj. Bëhet fjalë për një vaksinë për virusin HIV të Sidës. Në çfarë faze të këtij procesi ndodheni dhe kur mund të pritet të dalë një vaksinë për Sidën?

Arban Domi: Po e filloj përgjigjen me pjesën e dytë të pyetjes. Koha nuk dihet. Ka vite që GeoVax-i por ka dhjetra dhe qindra kompani kudo në botë që po punojnë, ka mbi dy dekada dhe deri më sot asnjë nuk ka arritur të ketë një vaksinë të vërtetë kundër Sidës. Kjo është për arsye se virusi është shumë specifik dhe ka një vështirësi të madhe për të. Por nga ana tjetër, eksperienca e GeoVax-it dhe kompanive të tjera konkurrente me ne ka bërë që mundur që në ditët e sotme ne njohim shumë më tepër për virusin e cila do të ndihmojë në vitet e ardhshme për të përshpejtuar një vaksinë. GeoVax ka bërë disa teste dhe ka rezultate premtuese. Së pari, platforma që ne përdorim është shumë e sigurt për arsye se nuk shkakton asnjë efekt sekondar tek njeriu. Platforma jonë, vaksina jonë prodhon antikorpe kundër virusit të Sidës dhe e treta antikorpet që prodhohen nga vaksina GeoVax jetojnë për një kohë shumë të gjatë në organizëm dhe kjo e fundit është një nga pikat më të forta të vaksinës tonë në krahasim me vaksinat që po zhvillohen nga kompanitë e tjera.

Zëri i Amerikës: A mund të thuhet që mund të presim të paktën një periudhë disa muaj për një provë klinike nga kompania juaj?

Arban Domi: Provat klinike ne i kemi bërë në nivel të vogël, deri në 500 individë. Plani i ardhshëm është të kalojmë në një numër individësh më të mëdhenj, rreth 3 mijë dhe për këtë jemi në diskutim me Institutin Kombëtar të Shëndetit si edhe me agjencinë që kontrollon dhe drejton të gjithë testet klinike për HIV-in dhe Sidën, por po e përsëris: vaksinat kërkojnë kohë të zhvillohen, jo vetëm nga ana shkencore dhe rregullatore, por edhe nga ana financiare. Kështuqë testet tona janë në diskutim por nuk besoj se do të kalojmë në fazën tjetër përpara një ose dy vjetësh. Dua të theksoj se kompania jonë në nivelin e testeve është më e avancuar sesa kompanitë e tjera, kështuqë për një vaksinë të vërtetë duhet të presim 5 deri në 10 vjet në rastin më të mirë.

XS
SM
MD
LG