Lidhje

Egjipti, sulme ndaj ISIS-it


Avionët luftarakë egjiptianë kryen sot në mëngjes sulme ajrore kundër grupit Shteti Islamik në Libinë fqinje, si kundërpërgjigje ndaj ekzekutimit nga militantët të 21 të krishterëve egjiptianë që ishin rrëmbyer në Libi. Të krishterët koptë u ekzekutuan me prerje koke.

Sulmet ajrore që kishin në shënjestër kampet e trajnimit të militantëve dhe objektet e magazinimit të armëve erdhën disa orë pas publikimit nga grupi Shteti islamik të një videoje, ku tregoheshin ekzekutimet.

Presidenti Abdel Fattah el-Sissi kishte premtuar në një fjalim televiziv se do të reagonte ndaj ekzekutimeve, duke i quajtur ato një "akt i neveritshëm terrorizmi".

Abdel Fattah el-Sissi, President i Egjiptit:

"Egjipti rezervon të drejtën e kundërpërgjigjes, me metodën dhe në kohën që ai e sheh të arsyeshme kundër vrasësve dhe kriminelëve të pashpirt," - tha Presidenti i Egjiptit.

Vrasjet brutale u cilësuan si hakmarrje ndaj asaj që një luftëtar i maskuar e përshkroi si "kishë armiqësore egjiptiane." Koptët përbëjnë rreth 10 përqind të popullsisë egjiptiane dhe janë të diskriminuar e të përndjekur.

Kisha Koptike në një deklaratë u bëri thirrje pasuesve "të ketë" besim se Egjipti nuk do të rrijë pa i ndëshkuar kriminelët. ''

Që nga viti 2014, ISIS ka ekzekutuar me metoda barbare një numër njerëzish nga vende të ndryshme.

Muajin e kaluar grupi ekstremist publikoi një video që tregonte ekzekutimin me djegie të një piloti jordanez avioni i të cilit u rrëzua në Siri. Fotografitë e publikuara nga ISIS tregojnë gjithashtui ekzekutimin e dy pengjeve japoneze.

XS
SM
MD
LG