Lidhje

Ekspozita "Shekspiri në Dhjetë Akte"


"Shekspiri në Dhjetë Akte" është një ekspozitë e re në Bibliotekën Britanike që shënon 400 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit. Ekspozita ofron një pasqyrë unike të jetës dhe karakterit të dramaturgut, së bashku me reliket e lidhura me disa nga aktorët më të famshëm shekspirianë.

Është një objekt i rrallë dhe Biblioteka Britanike krenohet me të – botimi i parë i Hamletit në vitin 1603.

Vetëm tre vjet më parë Shekspiri kishte interpretuar në tragjedinë e tij më të famshme në teatrin Globe pranë brigjeve jugore të Lumit Tamiz.

Asnjë dramaturg nuk është pa kritikë dhe vepra tjetër që pason Hamletin, shoqërohet edhe me kritikën e parë për të.

Kritika komenton për Romeon dhe Xhulietën: "Të rinjve u pëlqen Venusi dhe Adonisi i Shekspirit, por Hamleti është tërheqës për më të zgjuarit. "

Në katër shekuj duket se pak ka ndryshuar.

Pavarësisht se shumë pak nga sendet e Shekspirit kanë mbijetuar në 400 vjet, në këtë kuti xhami ndodhen disa dokumente origjinale të kontratave të teatrove të tij. Biblioteka Britanike thotë se një nga mbishkrimet është i vetë Shekspirit. Merret me mend sa i gëzuar ka qënë ai kur bleu teatrin Globe.

Biblioteka thotë se ekspozita synon të hedhë dritë të re mbi Uilliam Shekspirin si njeri dhe sesi ai u bë një ikonë e kulturës.

Një nga thesaret këtu është kafka e përdorur tek Hamleti nga aktorja Sarah Bernhardt në vitin 1899.

Skena me kafkën e Hamletin e ka bërë Jorikun një nga personazhet më të famshëm të Shekspirit.

Kafka iu dhurua aktores Bernhardt në vitin 1899 nga shkrimtari francez Viktor Hygo.

Zoe Wilcox është kuratore e ekspozitës:

"Në vitin 1660 kur teatrot u rihapën pas Luftës Civile kompanitë interpretuan skenat më të pëlqyera dhe skena e varrmihësit tek Hamleti ishte një nga skenat e shkurtra komike që ishte shumë popullore."

Por, Hamleti që ne njohim sot, nuk është i njejti me dramën origjinale të Shekspirit që ndodhet në bibliotekë, Madje edhe rreshti i famshëm që jemi mësuar të dëgjojmë në teatër, “Të rrosh, a të mos rrosh, kjo është çështja”, ka qënë disi ndryshe në original, më i zbutur, thotë kuratorja, “të rrosh a të mos rrosh, si i bëhet”.

Shekspiri ishte një dramaturg i njohur i kohës, por mori shpejt famë ndërkombëtare, pasi aktori i famshëm David Garrick organizoi një ceremoni për të.

Biblioteka Britanike thotë se ceremonia në Stratford e çimentoi atë si shkrimtarin dhe dramaturgun më të arrirë në gjuhën angleze dhe në Angli.

Pavarësisht informacionit që përcjellin të gjitha këto objekte, askush nuk është i sigurt se si dukej nga pamja Shekspiri.

Një ekran në Bibliotekën Britanike tregon portrete të ndryshme që pretendojnë ngjashmërinë e tij.

Greg Buzwell është bashkë-kurator i ekspozitës:

"Përsa i përket pamjes së tij është diçka shumë e ndërlikuar, për shkak se ka gjashtë apo shtatë imazhe ose portrete për të, që i afrojnë Shekspirit, por kur i shikon, ata ndoshta duken pak ndryshe nga njëri-tjetri. Prandaj paraqitja e tij është mister ".

Ajo që mendohet të jetë shëmbëllimi më i mirë i Shekspirit është në dorëshkrimet e dramaturgut Ben Johnson dhe pjesëtarëve të tjerë të trupës së tij teatrale.

Ndoshta një arsye përse Shekspiri mbahet mend aq mirë, është se jeta e tij private është si një libër i hapur.

"Ne dimë pak a shumë datën e lindjes së tij, dimë datën e pagëzimit të tij, dimë datën e vdekjes, dimë se ku u varros, dimë në lidhje me familjen e tij, dimë në lidhje me Ann Hathaway. Ne e dimë se ai kishte binjakë, kështu që dimë mjaft detaje për të," thotë zoti Buzwell.

Otello është një nga tragjeditë më të famshme të Shekspirit dhe ka dhënë një ndihmesë për ngritjen e profilit të aktorëve afrikano-amerikanë.

Aktori i parë afrikano-amerikan që luajti rolin e Otellos ishte Ira Aldridge, një amerikan që u ngjit në skenën e Londrës në vitin 1825, më shumë se dyqind vjet pasi Shekspirit mendohet ta ketë shkruar tragjedinë.

Një tjetër ndryshim tjetër që Shekspiri nuk arriti ta përjetojë ishte futja e grave në skenë.

Gratë nuk janë lejuar në skenë deri sa erdhi në fron mbreti Charles II, në vitin 1860.

Ekspozita ka portrete dhe relike të disa nga aktoreve më të paharruara që kanë luajtur rolet shekspiriane përfshirë Sarah Siddons, Ellen Terry dhe Vivian Leigh.

Ekspozita "Shekspiri në Dhjetë Akte" u hap më 15 prill dhe do të vazhdojë deri më 6 shtator.

XS
SM
MD
LG