Lidhje

Ligj për ekstremizimin në Britani


Britania po merr masa për shtimin e kontrollit ndaj retorikës ekstremiste, madje edhe në rastet kur ajo nuk nxit dhunë, ose urrejtje. Disa janë të shqetësuar se ky veprim mund të prekë të drejtat bazë të njeriut. Kjo është një çështje me të cilën po ballafaqohen shumë vende, ndërsa grupet ekstremiste fuqizohen në Lindjen e Mesme, pjesërisht të nxitur edhe nga donacionet dhe luftëtarët nga Perëndimi.

Planet për ligjin e ri u bënë të njohura nga Sekretari i Brendshëm britanik. Ato ishin premtuar nga Partia Konservatore gjatë fushatës elektorale dhe qeveria e re i përfshiu në fjalimin vjetor të Mbretëreshës, ku u parashtrua programin zyrtar:

“Do të propozojmë një ligj për të nxitur kohezionin social që synon mbrojtjen e popullit nga ekstremizmi".

Qeveria kërkon kompetenca më të gjera për të kontrolluar grupet bamirëse dhe institucionet fetare, që ato të mos përfshihen në nxitjen e ekstremizmit. Po ashtu ajo kërkon kompetenca, që të jetë në gjendje të ndalojë individët nga shprehja e pikëpamjeve esktremiste.

Ekspertja për radikalizmin Hannah Stuart, e Shoqatës Henry Jackson, e mirëpret përpjekjen për një qëndrim më të ashpër ndaj grupeve ekstremiste, edhe kur ato nuk lidhen drejtpëdrejt me dhunën:

“Aty ku ekstremizmi lejohet të lulëzojë, ne shohim pakësimin e të drejtave individuale, por edhe të të drejtave të një grupi dhe fatkeqësisht, edhe të të drejtave të pakicave. Kështu, zakonisht, vetë myslimanët janë viktimat e para të ekstremizmit".

Por zonja Stuart është e shqetësuar për mundësinë e kufizimit të lirisë së shprehjes për individët:

“Duhet të pranojmë se do të ketë ide të caktuara ekstremiste dhe disidente në vend dhe ne duhet të kemi besim tek njerëzit si pjesë e shoqërisë dhe e shoqërisë civile në veçanti; se ne jemi të fortë, që ta kundërshtojmë këtë hapur, në vend që ta fshehim."

Duke folur përmes Skype-it nga Shoqata Myslimane Britanike, Omer al-Hamdoon është dakord, por ai ngre një shqetësim më konkret:

“Zëri i myslimanët, kryesisht në Britani, do të mbytet dhe atyre do t'u mohohet liria e fjalës, edhe pse ata nuk kanë kryer ndonjë akt kriminal."

Zoti Hamdoon thotë se ligjet e tanishme kundër nxitjes së ekstremizmit janë të përshtatshme dhe ai e kundërshton idenë se retorika esktremiste nxit dhunën.

“Sekretari i Brendshëm ka përmendur këtë lidhje mes ekstremizimit të padhunshëm dhe atij të dhunshëm. Nuk mendoj se ka fakte për ta mbështetur këtë teori."

Zoti Hamdoon thotë se qeveria nuk është e pajisur siç duhet për të bërë dallimin mes ideve që janë të ndryshme nga rrjedha e përgjithshme dhe atyre që mund të jenë të rrezikshme. Ai thotë se ligji i ri do t'i bënte të paligjshme, disa predikime të ligjshme të fesë myslimane.

Por Hannah Stuart thotë se deri tani problemi ka qënë pikërisht e kundërta:

“Ne kemi dështuar në identifikimin e ekstremizimit dhe po kalojmë në kriminalizimin e praktikave të islamizmit."

Ajo thotë se ekziston një konsensus mes vendeve demokratike, se duhet të gjenden mënyra për trajtimin e shtimit të ekstremizmit, pa shkelur të drejtat e njerëzve të cilat ato përpiqen t'i mbrojnë.

XS
SM
MD
LG