Lidhje

Ceremonia e Çmimeve Emmy


Një ndër dramat e preferuara për publikun amerikan, seriali televiziv Braking Bad, mori mbrëmë edhe votën e kritikës duke u zgjedhur si drama televizive më e mirë e vitit në ceremoninë e Çmimeve Emmy. Ceremonia e pëvitshme nderon arritjet më të mira të programeve të shfaqura në televizionin amerikan.

Mbrëmja ishte e mbushur me yje të Hollivudit, me modën e fundit që u shpalos në tapetin e kuq të ceremonisë, ethet e konkurrimit, emocione, përgëzime e zhgënjime, por edhe kujtime të dhimbshme të aktorëve që u ndanë këtë vit nga jeta.

Titulli më i lakuar i mbrëmjes ishte Braking Bad, drama televizive e kanalit AMC, e cila fitoi çmimin Emmy si drama më e mirë e vitit. Bryan Cranston, i cili luan personazhin kryesor – një mësues kimie që kthehet në prodhues droge dhe baron krimi, u zgjodh në kategorinë e aktorit më të mirë. Anna Gun dhe Aaron Paul, gjithashtu aktorë në këtë dramë fituan në kategoritë e aktorit dhe aktores më të mirë në rol dytësor dramatik.

“Modern Family” fitoi mbrëmë titullin e pestë Emmy si komedia më e mirë televizive. Aktori Ty Burrell fitoi për herë të dytë Emmy për lojën e tij në këtë komedi, në kategorinë e aktorit në rol dytësor.

Mbrëmja e djeshme përfshinte një numër titujsh nga drama dhe komedi që u mbyllën vjet, si dhe një numër titujsh të realizimeve të reja. Por ajo që bie në sy, është përzgjedhja në masë e një numër realizimesh të stacioneve kabllore si dhe produksione të transmetuara përmes internetit, duke lënë vetëm një numër të vogël konkurrentësh që realizohen dhe transmetohen nga kanalet kryesore.

Mbrëmja mori tone serioze, kur u kujtua dhe u nderua vepra e aktorëve që u ndanë vjet nga jeta. Një vend i veçantë u rezervua për aktorin Robin Williams i cili vrau veten pak ditë më parë, përmes kujtimeve të mikut dhe kolegut të tij Billy Crystal.

Ceremonia e sivjetshme ishte në një lloj mënyre edhe lamtumira për disa realizime televizive shumë popullore që u mbyllën këtë vit. Një sezon i ri transmetimesh fillon në shtator me shpresën për emocione, subjekte e personazhe të reja, po aq interesante për spektatorin televiziv.

XS
SM
MD
LG