Lidhje

Engel: I gabuar paralelizmi mes Krimesë dhe Kosovës


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel tha se do të ishte e gabuar të bëheshin paralelizma mes rastit të Krimesë dhe atij të Kosovës, sepse secili nga këto raste është i veçantë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Engel foli gjithashtu për sanksione të mundshme ekonomike kundër Rusisë.
Engel, jo paralelizëm mes Kosovës dhe Krimesë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:36 0:00



Zoti Engel tha se Krimea është një rast krejt i ndryshëm nga Kosova, sepse në Kosovë bëhej fjalë për një popullsi që duhej shpëtuar.

"Në Kosovë ishte e qartë se bëhej fjalë për një histori të tmerrshme shtypjeje serbe kundër një shumice shqiptare. Atje pati një përpjekje nga diktatori serb i asaj kohe, Sllobodan Millosheviç për të spastruar etnikisht Kosovën nga të gjithë qytetarët e saj shqiptarë, që përbënin 95 përqind të popullatës. Ne nuk deshëm të lejonim spastrimin etnik ose gjenocidin, prandaj NATO-ja nën drejtimin e Presidentit Clinton, ndërmori një fushatë bombardimesh për t’i nxjerrë serbët nga Kosova. Kjo fushatë përfundoi me sukses dhe ne shpëtuam jetë të panumërta njerëzish," tha zoti Engel.

Ai tha se gjendja në Krime është krejtësisht e ndryshme. Presidenti Vladimir Putin po tregohet agresiv dhe po përpiqet të aneksojë një pjesë të një vendi tjetër, nën pretekstin se shumica e popullsisë në Krime, që është rusishtfolëse, ka nevojë të jetë e lirë, apo se asaj po i shkelen të drejtat në një farë mënyre. Kjo është e gënjeshtërt, tha zoti Engel.

Zoti Engel tha se rasti i Kosovës është i ngjashëm me atë që po ndodh sot në Siri.

"Unë do ta krahasoja Kosovën me Sirinë. Atje kemi një popullatë civile të rrezikuar dhe është e tmerrshme që komuniteti ndërkombëtar në një farë mënyre po i kthen shpinën Sirisë."

Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku tha se zoti Putin duhet të tregohet i kujdesshëm, sepse në Rusi ka shumë rajone të trazuara si Çeçenia, që dëshirojnë të shkëputen. Nëse kjo fillon, tha zoti Engel, atëherë nuk dihet se ku mbaron.

"Ashtu siç mendoj se shkëputja e Çeçenisë nga Rusia nuk do të justifikohej, po ashtu mendoj se shkëputja e Krimesë nga Ukraina dhe bashkimi i saj me Rusinë nuk janë të justifikuara," tha kongresmeni.

Zoti Engel foli për nevojën që Rusisë t'i vihen sanksione për veprimet e saj:

"Ne duhet të gjejmë mënyra për t'i vënë sanksione Rusisë, aty ku Presidentit Putin i dhemb ekonomikisht. Ai duhet ta kuptojë se ka një çmim që duhet paguar. Ai nuk duhet të mendojë se mund të fusë trupat në Krime, meqenëse Perëndimi nuk ka ç'bën pasi njerëzit me të drejtë nuk e duan luftën. Por ka shumë gjëra të tjera që ne mund të bëjmë për ta goditur ekonominë e Rusisë," tha zoti Engel.

Kongresmeni tha se SHBA janë të angazhuara që Ukraina të shikojë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja dhe kjo bëhet në radhë të parë duke e ndihmuar ekonominë e saj.

"Mashtruesit dhe hajdutët që qeverisnin Ukrainën, duke përfshirë Yanukovichin, i cili ishte një kukull e Rusisë, grabitën para dhe e varfëruan ekonominë e Ukrainës, prandaj ajo ka nevojë për shumë ndihmë.

Presidenti Obama po i bën thirrje Kongresit që të miratojë reforma për Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat administrata thotë se janë një element i rëndësishëm për të siguruar ndihma për Ukrainën. Por disa republikanë i kundërshtojnë këto reforma, të cilat kanë të bëjnë me kontributin që SHBA dhe vende të tjera japin për këtë institucion financiar. Kongresmeni Engel tha se shpreson që mosmarrëveshja të zgjidhet, sepse Ukrainës i duhet ndihma menjëherë. Ne nuk mund ta lëmë ndihmën të presë, kjo është tepër urgjente, tha ai.
XS
SM
MD
LG