Lidhje

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder jep dorëheqjen


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Eric Holder njoftoi se do të japë dorëheqjen, por tha se do të vazhdojë qëndrojë në post, deri në konfirmimin e personit që do ta zëvendësojë atë.

Duke u shfaqur krahas me Presidentin Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, i pari Prokuror i Përgjithshëm afrikano-amerikan tha se është koha që ai të larohet nga ky post, për t'u marrë me diçka tjetër:

"Në muajt e ardhshëm unë do të largohem nga Departamenti i Drejtësisë, por nuk do të heq kurrë dorë nga puna. Do të vazhdoj të shërbej dhe të përpiqem që vendi ynë të përparojë, drejt idealeve të themeluesve të kombit tonë." - tha ai.

Zoti Obama e vlerësoi zotin Holder, një nga anëtarët e pakët të kabinetit të tij që nga mandati i parë, i cili po i jep fund tri dekadave si punonjës i qeverisë federale:

"Ai ka treguar një besnikëri të thellë ndaj një prej idealeve që ne ushqejmë më tepër si popull: drejtësi për të gjithë, sipas ligjit. Ai beson ashtu sikurse edhe unë, se drejtësia nuk është një teori abstrakte, por një parim i gjallë, në zhvillim të vazhdueshëm", - tha Presidenti.

Si Prokuror i Përgjithshëm, zoti Holder solli argumente për mbylljen e qendrës amerikane të ndalimit në Gjirin e Guantanamos, në Kubë dhe për gjykimin e të dyshuarve të huaj për terrorizëm në gjykatat civile amerikane. Ai mbikqyri përgjigjen e Departamentit të Drejtësisë ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e një pjese të rëndësishme të një ligj vendimtar për të drejtat e votimit dhe urdhëroi krijimin e një komisioni federal për vrasjen me armë muajin e kaluar të një djali zezak të paarmatosur në shtetin e Missourit.

Profesori i juridikut në Universitetin George Washington, Stephen Saltzburg, thotë se Holder luftoi për mbrojtjen e të drejtave civile:

"Ai do të mbahet mend si një Prokuror i Përgjithshëm që i kushtoi një rëndësi të veçantë kësaj çështjeje gjatë viteve të tij në detyrë. Në vendin tonë kemi patur shumë probleme lidhur me çështjen e racës dhe drejtësisë."

Por Richard Kelsey, profesor i juridikut në Universitetin George Mason, e sheh zotin Holder si një nga anëtarët kryesorë të administratës që nuk e ka respektuar ligjin, duke tejkaluar edhe Kongresin:

"Ai ka bërë pikërisht atë që nuk duhte ta bënte, si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara: duke bërë zgjedhje mbi baza politike për ligjet që duheshin zbatuar."

Holder vazhdimisht ka shkaktuar zemërim partiak në Kongres. Ligjvënësit republikanë kërkuan dorëheqjen e tij lidhur me një program federal që çoi në shitjen e armëve karteleve meksikane të drogës.

Duke reaguar ndaj lajmit për dorëheqjen e zotit Holder, kongresmeni republikan Jeff Duncan komentoi përmes twitterit: "një veprim i mirë, pikërisht njeriu që duhej hequr qafe".

Por ndryshe nga zoti Duncan, Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit, Patrick Leahy, bëri një dekleratë, përmes së cilës e mburrte zotin Holder për punën e tij në "shpalljen fajtorë të terroristëve dhe për prishjen e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare", ndërsa është përpjekur për "mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë amerikanët."

Me t'u emëruar, kandidati i Presidentit për zëvendësimin e zotit Holder mund të përballet me seancën e konfirmimit në Senat, pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor.

XS
SM
MD
LG