Lidhje

A do të qëndrojë Britania në BE?


Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se bisedimet e së dielës në Londër me kryeministrin britanik, David Cameron, përfunduan pa marrëveshje për qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Evropian, por theksoi se bisedime "intensive" do të vazhdojnë të hënën.

Tusk, të dielën vonë në rrjetin social twitter, i përshkroi bisedimet në 24 orët e ardhshme si "vendimtare". Cameron tha se takimi i së hënës mund të çojë tek një dokument mbi reformat në Bashkimin Evropian të kërkuara nga Britania në shkëmbim të qëndrimit në bllokun ekonomik e politik 28 vendesh.

Zyrtarët në të dyja anët kanë shfaqur shpresën për arritjen e një marrëveshjeje para takimit dy ditësh të BE-së që do të mbahet me 18 shkurt në Bruksel.

Nëse arrihet marrëveshja, atëherë ajo duhet të marrë miratimin e votuesve britanik në një referendum që partia e Cameronit ka premtuar të mbahet deri në fund të vitit 2017.

Mosmarrëveshjet ndërmjet Londrës dhe Brukselit u shtuan vitin e kaluar, derisa kriza e migruesve përfshiu kontinentin. Qeveria e Cameronit që nga atëherë ka kërkuar reforma në BE, një pjesë e të cilave nënkupton që t'u lejohet vendeve të BE-së të kontrollojnë numrin e migruesve dhe të kufizojnë përfitimet e tyre sociale.

Të premten, zyrtarët e BE-së i ofruan Londrës një mekanizëm të njohur si "frenuesi emergjent", që do t'i mundësonte asaj kufizimin e përfitimeve të tilla nëse vendi përballet me probleme buxhetore.

Por, Cameron e përshkroi ofertën "të pamjaftueshme". Ai do të kërkojë lëshime të mëtejshme të cilat do të mundësonin që mekanizmi të hyjë në fuqi më shpejtë dhe më gjatë sesa që është propozuar nga Bashkimi Evropian.

Londra do të kërkojë po ashtu më shumë pushtet për qeveritë kombëtare dhe mbrojtjen e Britanisë dhe tetë vendeve tjera të BE-së që nuk e përdorin monedhën euro.

XS
SM
MD
LG