Lidhje

BE e zhgënjyer nga dështimi i bisedimeve për Maqedoninë


Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian kritikoi të enjten udhëheqësit politikë të Maqedonisë pas dështimit të bisedimeve të së mërkurës në Bruksel, ndërsa kryeministri dhe kreu i opozitës së vendit ballkanik, fajësuan njëri-tjetrin.

“Shumë i zhgënjyer nga mungesa e përgjegjësisë dhe aftësisë udhëheqëse të disave”, shkruante në Twitter Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn pasi drejtoi 12 orë bisedime mes udhëheqësve të katër partive më të mëdha në Maqedoni që u mbyllën pak para mesnatës të mërkurën.

Bisedimet nuk arritën të sjellin një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund krizës politike që filloi me bërjen publike të bisedave të përgjuara. Kriza ka shkaktuar frikën për paqendrueshmëri në vendin që pothuajse u përfshi në luftë civile në vitin 2001.

“Qytetarët meritojnë më shumë: Demokraci, shtet ligjor dhe një të ardhme evropiane”, tha zoti Hahn.

Por në Shkup, dështim i bisedimeve u konsiderua edhe si dështim i përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe vetë komisionerit, i cili ishte vënë në rolin e ndërmjetësit midis palëve.

Çfarë përmbante propozimi për kompromis?

Takimi në Bruksel kishte si synim përcaktimin e detajeve të një marrëveshjeje të arritur më 2 qershor për zgjedhje të parakohëshme deri në fund të prillit 2016.

Sipas një propozimi për kompromis që u diskutua të mërkurën, një zëvendës kryeministër, një figure me peshë propozuar nga opozita, do të emërohej për organizimin e zgjedhjeve, sipas një burimi pranë negociatave, cituar nga agjencia Reuters.

Zëvendës kryeministri aktual do të drejtonte zbatimin e reformave për financimin e partive dhe çështje të tjera.

Në një kohë të përshtatshme, parlamenti do të shpërndahej dhe do të shpallte zgjedhje brenda 60 ditësh. Kryeministri konservator Nikola Gruevski që është në pushtet prej nëntë vjetësh do të jepte dorëheqjen para zgjedhjeve.

Kritika të ndërsjellta

Por kryetari i Lidhjes Social Demokrate në opozitë, Zoran Zaev, nuk kishte lëshuar pé në lidhje me kërkesat për një qeveri të përkohshme, se kush do ta drejtonte dhe në ç’afat do të duhej formuar ajo. Opozita maqedonase nuk pranon asnjë lloj formati të qeverisë që do të drejtohej nga kryeministri Gruevski.

Kryeministri Gruevski, i cili drejton partinë VMRO-DPMNE, Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, patën rënë dakord javën e kaluar në Shkup, për zgjedhje të parakohshme, por opozita maqedonase ngul këmbë që këto zgjedhje të organizohen nga një qeveri teknike ose e përkohshme dhe kjo të bëhet brenda një afati më të shkurtër kohor.

Pasi dështimit të bisedimeve, Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha partive që në interes të vendit të tyre dhe të qytetarëve, të gjejnë pa vonesë një kompromis afatgjatë politik dhe të dalin me propozime konkrete, mbi bazë të marrëveshjes së 2 qershorit.

Moszgjidhja e krizës rrezikon aspiratat euro-atlantike

Zotimet e drejtuesve partiakë duhet të zbatohen me urgjencë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Evropian, ndërsa theksohet si çështje thelbësore përparimi i Maqedonisë drejt rrugës Euro-Atlantike.

Përpjekjet e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO janë bllokuar prej vitesh nga mosmarrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit. Kriza mund të trondisë mbështetjen e Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shkupin.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kishin shkuar në Bruksel për të paraqitur kërkesat mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht për avancimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve të Maqedonisë, megjithëse është e qartë se çështja e këtyre bisedimeve është krijimi i kushteve për zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin deri në muajin prill të vitit 2016.

Zgjedhjeve të parakohshme duhet t’u paraprijnë reforma ligjore, si ndryshimet e Kodit zgjedhor, pastrimi i listave të votuesve, një problem që është përsëritur gjatë çdo cikli zgjedhor, pastaj pavarësia e gjyqësorit dhe liria e medies.

Analistët në Maqedoni vlerësojnë se zgjidhja nuk do të jetë e shpejtë dhe në këtë rast Bashkimit Evropian do t’i duhet të dërgojë një përfaqësues të posaçëm në Maqedoni për të lehtësuar bisedimet, apo këtë ta bëjë edhe administrata amerikane duke dërguar një të dërguar që do të ndërmjetësonte në problemet e këtij vendi.

Skandali i përgjimeve

Kryeministri Gruevski ka qenë nën presion që nga janari lidhur me bisedat e përgjuara që janë bërë publike që nga janari nga udhëheqësi i opozitës Zaev që thotë se përgjimet janë bërë në mënyrë të paligjshme nga qeveria, duke vënë në shënjestër 20 mijë figura politike, gazetarë dhe gjykatës, kundërshtarë politikë dhe aleatë.

Qeveria thotë se përgjimet janë bërë nga një shërbim i huaj zbulimi që ka bashkëpunuar me Zaevin për të përmbysur qeverinë.

Sipas marrëveshjes së 2 qershorit e cila më parë nuk ishte bërë publike dhe një kopje e së cilës është siguruar nga agjencia Reuters, Partia Social demokrate e Zaevit do të drejtonte një komision parlamentar për hetimin e skandalit të përgjimit.

Opozita do të drejtonte gjithashtu komisione që do të shqyrtonin të metat në shërbimet e zbulimit dhe do t’i bënin publike përfundimet e tyre në nëntor.

Deri në fund të shtatorit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të merrte më shumë kompetenca për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta.

XS
SM
MD
LG