Lidhje

BE, operacion kundër trafikantëve


Bashkimi Evropian sot ra dakord për krijimin e një operacioni ushtarak detar, të quajtur EUNAVFOR Med, për të shkatërruar rrjetet kriminale të trafikantëve të njerëzve në Detin Mesdhe. Zyra e shtypit e BE-së ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se ky vendim, i cili është një nga elementet e reagimit gjithpërfshirës të BE-së ndaj sfidës së migrimit, do të mundësojë fillimin e punës për një plan operacional detar për të ndaluar rrjedhën e emigrantëve në Evropë.

BE thotë se Misioni i EUNAVFOR Med do të realizohet në faza dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Planifikimi i operacionit, survejimi i fazës fillestare dhe vlerësimi i rrjeteve të trafiqeve me qenie njerëzore në Mesdheun jugor do të bëhet së shpejti. Faza e dytë dhe e tretë e operacionit do të përqëndrohet në kapjen e aseteve të trafikantëve, në bazë të ligjeve ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me autoritetet libiane. Në bazë të marrëveshjes së arritur sot, shtabi i misionit EUNAVFOR Med do të jetë në Romë dhe do të drejtohet nga admirali italian Enricho Credendino. BE thotë se kostoja e këtij operacioni vlerësohet të arrijë në 11.82 milion euro për dy mujorin e parë dhe për një mandat fillestar prej 12 muajsh.

Operacioni është pjesë e një numri masash gjithpërfshirëse që kanë për synim shpëtimin e njerëzve, trajtimin e situatave emergjente dhe trajtimin e problemeve rrënjesore të migrimit siç është kërkuar nga Këshilli Evropian më 23 prill të këtij viti.

Në deklaratën e zyrës së shtypit të BE-së thuhet se operacioni detar do të jetë në axhendën e Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në muajin qershor.

Migrimi ilegal u ngjit në krye të axhendës së Bashkimit Evropian muajin e kaluar, kur më shumë se 700 emigrantë humbën jetën pas fundosjes së një anijeje, aksidenti më i rëndë i këtij lloji në disa dekada.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini para takimit të sotëm të Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE-së bëri thirrje për fillimin e një operacioni që ka në shënjestër kontrabandistët libianë që trafikojnë njerëz në Evropë.

"Sot çështja kryesore është marrja e një vendimi për krijimin e operacionit të BE-së në det për të eliminuar rrjetet kriminale që trafikojnë njerëz përmes Mesdheut. Unë pres që ky vendim të merret sot, në mënyrë që ne të lëvizim përpara me planifikimin dhe fillimin e operacionit në javët e ardhshme".

BE-ja është duke kërkuar pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe po harton një rezolutë për miratimin e operacionit të bazuar në kapitullin 7 të Kartës së OKB-së, e cila lejon përdorimin e forcës, thonë diplomatët.


"Marina mbretërore tashmë është duke shpëtuar njerëz në det, por sot ne duhet të biem dakord për marrjen e masave kundër bandave kriminale dhe prishjen e rrjeteve të trafikimit. Kjo përfshin mbledhjen e më shumë informacioneve të zbulimit mbi mënyrën se si këto rrjete janë të organizuara dhe shtimin e ndihmës për vendet nga të cilat vijnë emigrantët", thotë Ministri britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon.


Zyrtarët thonë se në tre ditë gati 1,000 emigrantë, shumica e të cilëve kishin ardhur nga Afrika përmes Italisë, u kapën në jug të Francës afër kufirit italian.

XS
SM
MD
LG