Lidhje

I ftohti nuk ndal valën e refugjatëve


Qindra emigrantë dhe refugjatë pritën edhe sot, në një mot të ftohtë për të kaluar kufirin serbo-kroat në vendkalimin Berkasovo-Bapska. Rreth tre mijë njerëz hynë në Kroaci gjatë natës, edhe pse ishte shumë ftohtë dhe kishte një mjegull të dendur. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se çdo ditë rreth gjashtë mijë refugjatë kalojnë kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, për të vazhduar më pas rrugëtimin e tyre drejt Sllovenisë dhe Europës Perëndimore.

Një zyrtar i UNHCR tha se 6,000 njerëz kanë hyrë në Kroaci gjatë 24 orëve të fundit:

''Gjatë natës ne kemi pasur shumë njerëz. Vetëm në 24 orët e fundit rreth 6.000 njerëz kanë kaluar kufirin, dhe për fat të mirë, kufiri ka qenë i hapur kohë pas kohë gjatë natës" thotë koordinatori UNHCR-së, Niklas Agerup Stoerup.

Ai thotë se rreth 7,000 emigrantë pritet të kalojnë në pikën kufitare Berkasovo në Kroaci dhe më pas do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt Sllovenisë dhe Evropës Perëndimore.

Policia kroate dhe ajo serbe kanë bashkuar përpjekjet për të siguruar kalimin e rregullt të njerëzve në grupe me nga 50 dhe 100 refugjatë. Ata kanë ndërtuar një strukturë metalike të mbuluar për të lejuar kalimin e emigrantëve dhe refugjatëve nga një vend në tjetrin.

Moti i ftohtë është një problem i madh për emigrantët, shumë prej të cilëve thonë se kanë nevojë për më shumë mbështetje:

"Jemi të lodhur dhe kemi vuajtur shumë. Nuk ka kujdes në rrugë, ata na thonë se OKB-ja do të na ndihmojë por ne kemi marrë shumë pak ndihmë. Është një situatë e keqe, pasi është shumë ftohtë dhe unë kam fëmijë. Tani ne jemi ne rregull sepse arritëm këtu dhe falë Zotit askush nuk ka vdekur", thotë Nivin, nga kryeqyteti sirian Damask.

Refugjatët dhe emigrantët po ecin nëpër fusha të mbjella me pemë nga Serbia drejt Kroacisë, dhe mijëra prej tyre detyrohen të presin në zonën neturale, ndërkohë që temperaturat gjatë natës arrijnë në pothuaj nën zero celsius.

Dje ministri i Brendshëm serb dhe homologu i tij kroat ranë dakord për të përshpejtuar kalimin tranzit të refugjatëve nga Serbia në Kroaci. Trenat do të marrin emigrantët katër herë në ditë nga qyteti serb i Sidit, për t’i dërguar direkt në qytetin kroat të Slavonski Brodit, ku brenda disa ditësh do të hapet një kamp i ri refugjatësh.

XS
SM
MD
LG