Lidhje

Moti ekstrem: çfarë premton e ardhmja


Një sërë katastrofash të motit kanë tronditur botën javët e fundit, me përmbytje vdekjeprurëse në SHBA dhe Britani, krahas thatësirës së zgjatur në Brazil, Afrikë të Jugut dhe Indi. Në Shqipëri, pasojat ishin të qarta me përmbytje të mëdha në zonën perëndimore të vendit.

Që nga Amerika dhe deri në Britaninë e veriut, furtuna të rënda dhe përmbytje, kanë shkaktuar rrënim. Drejtori i metereologjisë në “Weather Underground”, një shërbim amerikan i lajmeve për motin, thotë se ngrohja globale është një ndër shkaqet, pasi ka ngrohur oqeanet dhe dërgon më shumë ujë të avulluar në atmosferë, duke krijuar më shumë nxehtësi:

“Me një atmosferë më të ngrohtë, ka më shumë energji për të krijuar stuhi të mëdha. Kur bie shi, shikojmë më shumë pasoja të rënda.”

Temperaturat globale janë rritur prej disa vitesh, por në dhjetor 2015, ato përkuan me fillimin e një El Ninjo tepër të fortë, që krijon ngrohje periodike të Oqeanit Paqësor.

Disa vëzhgues thonë se kombinimi i ngrohjes globale me El Ninjon mund të ketë shkaktuar ngritjen e temperaturave mbi pikën e ngrirjes në Polin e Veriut gjatë muajit dhjetor, gjë që ka ndodhur vetëm tre herë që nga viti 1948.

Robert Fanney është autor i një blogu shumë popullor në SHBA për çështjet e mjedisit. Ai i tha Zërit të Amerikës se vala e të ngrohtit nga Arktiku shkaktohet realisht nga shkrirja e akujve në det që krijon efekte të tilla:

“Humbja e akujve të detit e kthen sipërfaqen e bardhë reflektuese në një sipërfaqe të errët që tërheq nxehtësi. Gjatë verës, Oqeani Arktik po tërheq më shumë nxehtësi prej rrezeve të diellit, dhe e transmeton këtë nxehtësi gjatë vjeshtës dhe dimrit. Ky është një efekt i ri i madh.”

Arinjtë polarë jetojnë dhe bëjnë gjueti në hapësira akulli që po zvogëlohen.

Organizata amerikano-kanadeze “Polar Bears International” i është dedikuar ruajtjes së arinjve polarë, numrat e të cilëve po bien. Steven Amstrup thotë se do të vazhdojë zhdukja e kafshëve edhe nëse komuniteti ndërkombëtar e kufizon ngrohjen globale në dy gradë celcius, siç u ra dakord në konferecën e klimës në Paris:

“Pasojat do të jenë të mëdha dhe do të humbasim shumicën e arinjve polarë. Njerëzit thonë se pse duhet të shqetësohemi për arinjtë polarë që jetojnë në veri. Por, ata janë thjesht pararoja e asaj çfarë do të na ndodhë të gjithëve.”

Vëzhguesit e klimës thonë se gjatë 2016-ës mund të ketë më shumë viktima në njerëz për shkak të motit ekstrem, ndërkohë që ngrohja globale dhe El Ninjo do të vazhdojnë të ushqejnë njëri-tjetrin në muajt në vazhdim.

XS
SM
MD
LG