Lidhje

Protesta të dhunshme në Ferguson


Oficeri i policisë që qëlloi me armë, duke vrarë adoleshentin e paarmatosur në qytezën Ferguson, të Mizourit, u tha hetuesve se kishte menduar se djali donte ta qëllonte atë me armën e vetë policit.

Kjo deklaratë e oficerit të policisë Darren Wilson është përfshirë në mbi 6 mijë faqe të dokumenteve të gjykatës, që prokurorët i bënë të njohura të hënën në mbrëmje, pas dhënies së njoftimit se ndaj policit nuk do të ngrihen akuza.

Polici Wilson iu përgjigj pyetjeve të hetuesve më 10 gusht, ditën që ai qëlloi dhe vrau 18-vjeçarin Michael Brown.

Oficeri Wilson tha se ai ishte përleshur me Brown-in, që ishte përpjekur t’i merrte armën, para se ta qëllonte dhe se në një moment të caktuar djali kishte kontrollin e armës.

Oficeri Wilson tha se gjatë ballafaqimit mes tyre, ai kishte menduar se Brown do ta vriste. Ai tha se kishte menduar në ato çaste, se si do të mund të shpëtonte?

Varianti i ngjarjes së treguar nga Wilson-i është tërësisht i ndryshëm nga thëniet që kanë qarkulluar lidhur me incidentin.

Avokatët e familjes së viktimës thanë se Michael Brown po përpiqej të dorëzohej, në mometin kur oficeri Wilson e qëlloi për vdekje.

Vendimi i jurisë së madhe të shtetit të Mizurit për të mos ngritur padi ndaj policit të bardhë Darren Wilson për vrasjen e adoleshentit afrikano-amerikan Michael Brown, shkaktoi dhunë dhe shkatërrime të mëtejshme në Ferguson të Mizurit. Megjithë thirrjet e udhëheqësve të komunitetit, reagimi nuk ishte aspak paqësor.

Prokurori i distriktit Seint Ljuis, Robert McCulloch, njoftoi mbrëmë se juria e madhe nuk gjeti baza për të ngritur akuza ndaj oficerit Darren Wilson, i cili vrau adoleshentin afrikano-amerikan Michael Brown në muajin gusht.

“Ata vendosën se nuk ka një shkak të mundshëm për të ngritur akuza ndaj oficerit Wilson dhe iu përgjigjën negativisht të pesë akuzave të mundshme të propozuara. Provat fizike dhe ligjore të shqyrtuara nga juria, në kombinim me deklaratat e dëshmitarëve, rrëfejnë historinë e saktë dhe tragjike të ndodhisë.”

Presidenti Barack Obama mbajti një konferencë për shtyp menjëherë pas njoftimit, duke bërë thirrje për qetësi:

“Ne jemi mbi të gjitha një komb i ndërtuar mbi funksionimin e shtetit ligjor. Prandaj na duhet ta pranojmë se ky vendim i takonte jurisë ta merrte. Ka amerikanë që bien dakord me të, dhe ka amerikanë që janë thellësisht të zhgënjyer, madje edhe të zemëruar. Është një reagim i kuptueshëm. Por, unë iu bashkohem prindërve të Michael Brownit, duke u kërkuar atyre që do të protestojnë kundër vendimit, që ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore.”

Familja e adoleshentit të vrarë bëri thirrje për vetëpërmbajtje, por u shpreh në një deklaratë se ishte “thellësisht e zhgënjyer” nga vendimi.

Reagimi ndaj vendimit për të mos ngritur akuza ndaj oficerit Darren Wilson, ishte dhunë pothuajse e menjëherëshme nga disa pjesëtarë të turmës që u mblodhën para Departamentit të Policisë në Ferguson.

Policia reagoi duke lëshuar gaz lotsjellës ...dhe protestuesit u përgjigjën duke ndezur zjarre.

Dy makina policie u përfshinë krejtësisht nga flakët dhe kjo ndodh ndërsa policia e ndërhyrjes së shpejtë u dislokua, në gatishmëri për t’u përgjigjur ndaj çfarëdo veprimi të dhunshëm të protestuesve.

Nuk është e qartë se pse autoritetet vendosën që ta shpallnin vendimin e jurisë së madhe në mbrëmje vonë, një lëvizje që duket se u dha më shumë krahë shumë prej protestuesve që iu kthyen veprimeve të dhunshme.

Një banor i Fergusonit, që e prezanton veten si Django, nuk ka ndër mend të përdorë dhunë.

“Lutem që të mos ndodhë asgjë. Unë vetë nuk do të shkatërroj asgjë. Doja vetëm që vendimi të ishte ndryshe”.

Një nga shqetësimet kryesore ishte që dhuna do të zbehte përpjekjet për të zgjidhur tensionet racore, që Django thotë se ekzistojnë mes banorëve të Fergusonit dhe forcës së policisë.

“Ne kemi arsye të jemi këtu. Ne jetojmë këtu, është qyteti ynë. Prandaj nëse ai bën atë që bëri pa asnjë pasojë, nuk do të ketë kurrë pasoja”.

“Mësimi është që ne të gjithë duhet të flasim me njëri-tjetrin dhe nuk duhet të jenë njerëzit e vetëm një race që të flasin për pabarazitë që shohim”.

Mark Esters, u gjend i bllokuar prapa një vargu policësh që ishte formuar për të mos lejuar njerëzit të hynin në qendër të trazirave në rritje në Ferguson. Megjithëse, i zhgënjyer nga dhuna, ai nuk ishte i befasuar.

“Kjo ishte pika kulmore pas vitesh të tëra pabarazish”.

Skenat e plaçkitjeve dhe flakëve në Ferguson, e bënë këtë rrethinë të St. Louisit të dukej më shumë si zonë lufte, sesa një qytet i vogël. Julie Cruise është e indinjuar.

“Mjaft më! Mjaft më! Nuk duam më racizëm, fanatizëm. Ne mund të fitojmë ndaj tyre”.

Kur zjarret të shuhen dhe dhuna të ndalet, Fergusoni do duhet të rindërtohet, duke riparuar strukturat e dëmtuara, shkatërruara apo plaçkitura, dhe duke përmirësuar marrëdhëniet mes forcës së policisë dhe qytetarëve.

Në Oakland dhe Çikago, protestuesit vërshuan në autostrada, duke bllokuar makinat dhe duke eccur me duart lartë. Një turmë e vogël e protestuesve u mblodh jashtë Shtëpisë së Bardhë.

XS
SM
MD
LG