Lidhje

Gianni Infantino, presidenti i ri i FIFA-s


Federata Ndërkombëtare e Futbollit FIFA zgjodhi Gianni Infantinon si presidentin e saj të ri sot, në një kongres në Zyrih.

45-vjeçari Infantino, italo-zvicerian, mori 115 vota. Rivali i tij më i fortë, Sheiku Salman Ebrahim Al Khalifa, president i federatës aziatike të futbollit, mori 88 vota në raundin e dytë, ku kërkohej një shumicë e thjeshtë.

Infantino e merr rolin pas presidencës së Sepp Blatterit, i cili humbi postin pas skandalit për korrupsion në organizatë. Infantino ka premtuar të riorganizojë entin drejtues të futbollit botëror.

Presidenti i ri i FIFA-s zotëron italishten, frëngjishten, gjermanishten, anglishten dhe spanjishten. Ai ka mbaruar studimet juridike në Universitetin e Frajburgut në Zvicër.

Infantino filloi punë pranë UEFA-s në gusht 2000 ku ka përmbushur detyra të ndryshme duke u ngjitur gradualisht në karrierë deri kur mori postin e sekretarit të përgjithshëm në 2009.

Para se të punonte për UEFA-n ai ka qenë sekretar i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Sportive në Universitetin e Naushatelit.

XS
SM
MD
LG